KRU “Prishtina” intensifikon aksionet për shkyçjen e debitorëve dhe lidhjeve ilegale në Drenas
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar se ka intensifikuar aksionet në terren në Drenas, me fokus në shkyçjen e konsumatorëve me borxhe të mëdha të akumuluara dhe eliminimin e lidhjeve të paligjshme në…
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar se ka intensifikuar aksionet në terren në Drenas, me fokus në shkyçjen e konsumatorëve me borxhe të mëdha të akumuluara dhe eliminimin e lidhjeve të paligjshme në rrjetin e ujësjellësit.
Sipas njoftimit të kompanisë, ekipet e KRU “Prishtina” në Drenas kanë zhvilluar gjatë gjithë javës kontrolle dhe ndërhyrje në terren, me qëllim të respektimit të rregullave të furnizimit me ujë.
Kompania ka bërë të ditur se inspektorët dhe ekipet teknike do të vazhdojnë të jenë çdo ditë në terren, në kuadër të aksioneve për identifikimin dhe largimin e lidhjeve ilegale, si dhe për shkyçjen e konsumatorëve me borxhe të mëdha.
Nga KRU “Prishtina” kanë theksuar se këto masa synojnë mbrojtjen e burimeve të ujit dhe sigurimin e një trajtimi të barabartë për të gjithë abonentët që i përmbushin rregullisht obligimet e tyre.
Kompania u ka bërë thirrje konsumatorëve që të respektojnë rregullat dhe obligimet e përcaktuara për furnizimin me ujë. /Telegrafi/