Koleksionuesi i mijëra video-kasetave për krimet serbe: Punën që s’e bëri shteti, e bëra unë

Esat Shala 34-vjeçar nga fshati Krajkovë i Drenasit, ka mbledhur me mijëra video-kaseta të minutazhit të gjatë të qindra masakrave dhe ngjarjeve të cilat lidhen me luftën nga fillimet e viteve të 90-ta e deri në përfundimin e luftës së Kosovës në vitin 1999.

Esati ishte vetëm një fëmijë kur në Kosovë shpërtheu lufta masive e vitit 1999.Forcat serbe sikurse gjithë fshatit edhe atij ia kishin djegur shtëpinë, kurse si pasojë e kësaj familja e tij u detyra të qëndronte në mal gjatë luftës.

Si i papunë, Esati e kalon pjesën më të madhe të ditës, duke shikuar, analizuar, e mirëmbajtur një pjesë të video-kasetave të tij, të cilat i ka mbledhur që nga paslufta nga njerëz e vende të ndryshme nëpër Kosovë.

Punën që nuk e bëri shteti tash e 21 vjet, e bëri Esati, i cili thotë se shteti është ende në gjumë pasi nuk po merret me masakrat e Serbisë të bëra mbi popullin shqiptar të Kosovës.

“Me kalimin e kohës filloi edhe lufta në Kosovë 97-99 edhe një pjesë e madhe e familjes sime u inkuadruan në UÇK. Më 10 prill, doktor Hafi Shala d.m.th mixha im është zhdukur më 10 prill, mjek i parë i UÇK -së. Pastaj motra po në atë vit, më 14 dhjetor të 98 ka rënë dëshmore së bashku me të dashurin e saj Hysen Bujupin edhe me komandantin Mujë Krasniqin edhe 40 dëshmorë të tjerë të UÇK-së. Tani përfundoi lufta edhe u bënë disa vjet goxha shumë pas përfundimit të luftës edhe e pamë që shteti është në gjumë edhe nuk është duke u marrë me gjenocidin serb që ka ndodhë në Kosovë, edhe sot nuk është duke u marrë me të kaluar tonë të hidhur”, ka thënë ai.

Në një intervistë për KosovaPress ai tregon arsyen e tij për mbledhjen e këtyre videove.

Thotë se gjithçka u frymëzua nga familja, ndërsa shprehet këmbëngulës se pavarësisht sfidave misionin e nisur nuk do ta lë asnjëherë në gjysmë.

“Ia kam nis për pak kësaj pune, t’u lyp foto, incizime të familjes sime gjatë luftës në mal. Një kasetë, një aty edhe më hyri kjo far pune në gjak edhe kërkoja diçka më shumë me gjet material të luftës, edhe kam arrit të grumbulloj një numër të madh të incizimeve të luftës se ka qenë vështirë me u marrë me këtë punë, është ende vështirë se hala punoj në këtë drejtim. Është një punë e rrezikshme shumë, por nuk jam dorëzuar asnjëherë, edhe nuk mendoj me u dorëzua deri në realizimin e qëllimeve të mia”, thotë ai për KosovaPres

Pavarësisht se ekzistojnë dëshmi të shumta për krimet serbe në Kosovë, Shala thotë se klasa politike në vend, nuk bëri asgjë për faktimin e tyre, duke lënë anash të kaluarën e dhimbshme dhe të përvuajtur të popullit.

“Gati të gjitha masakrat që janë bërë në Kosovë, incizimet origjinale, fakte që dëshmojnë se çfarë ka ndodh. Edhe është rënd me i pa këto masakra, këto pamje të rënda edhe mos mi interesua askujt çfarë ka ndodhë me ata njerëz që kanë dhënë jetën në mënyrën më të keqe, që thonë ua kanë nxjerrë shpirtin me dana. Më shumë që i këqyri unë këto incizime, këto pamje aq ma shumë e urrej politikën e vendit. Të gjitha partitë që janë kanë në pushtet deri më sot s’kanë bërë kurrgjë për të kaluarën, edhe sot këto pasoja po i vuajmë sepse shumë njerëz sot janë nëpër burgje, ushtarë të pafajshëm për shkak se na nuk kemi bërë asgjë për të kaluarën. Për këtë ata tash janë duke vuajtur burgun të pafajshëm për arsye se ne nuk kemi bërë asgjë për të kaluarën” ka deklaruar ai.

Ai potencon se janë takuar me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiun, e cila i ka ofruar bashkëpunim për iniciativën për të hapur institutin për krime të luftës, edhe pse sipas tij për një gjë të tillë tashmë është bërë vonë.

“Jemi takuar me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiun, kemi pas dy tri takime me të, na ka ofruar një bashkëpunim për institutin për krime lufte, nëse hapet me qenë edhe na pjesë e institutit, por të shohim nëse e kanë seriozisht ata. Ky institut duhet me u hap sa ma shpejt edhe pse jena pak vonë 22 vjet, sepse Serbia ende pa e ndez luftën në Ballkan në vitin 1993 e ka hap institutin për krime lufte edhe pse vet kriminel kanë qenë ata dhe e kanë ditë që kanë me bë”, ka përfunduar rrëfimin e tij për KosovaPress, Esat Shala.

Nga masakrat e forcave serbe në Kosovë, mbetën të vdekur mbi 14 mijë shqiptarë, dhe rreth dy mijë persona rezultojnë ende të zhdukur. Rreth 20 mijë gra u dhunuan e mijëra e qindra shtëpi u djegën e u rrënuan.

SHPËRNDAJE