Drenas: Edhe familjet Deliu e Muqolli që u goditën nga masakrat kërkojnë drejtësi për çlirimtarët
Aktgjykimi i Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, është kundërshtuar edhe në Drenas.Protesta u organizua…
Aktgjykimi i Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, është kundërshtuar edhe në Drenas.
Protesta u organizua nga organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, ndërsa pjesëmarrësit kërkuan drejtësi dhe shprehën mbështetje për ish-drejtuesit e UÇK-së. Në protestë u përsërit edhe motoja “Jo në emrin tim!”.
Kryetari i organizatave të dala nga lufta, dega në Drenas, Enver Hajdari, tha se nuk pajtohen me dënimet e shqiptuara ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së.
“Jemi këtu sepse nuk pajtohemi me dënimin e shqiptuar nga Haga ndaj katër figurave kryesore të luftës dhe historisë sonë, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Por sot u themi qartë: kjo nuk është fjala e fundit e historisë. Ne jemi të shqetësuar thellë për mënyrën se si po trajtohet lufta jonë, në bazë të provave të pretenduara që janë të pabazuara dhe nuk kanë asnjë efekt”, tha Hajdari.
Në protestë mori pjesë edhe kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, i cili tha se mbështetja për ish-drejtuesit e UÇK-së duhet të shprehet në mënyrë paqësore dhe demokratike.
“Me ftesë të organizatave të dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, jemi këtu në këtë protestë kundër aktgjykimit në Hagë. Jemi këtu bashkë për t’i përkrahur heronjtë tanë të luftës dhe paqes, që sakrifikuan për lirinë e Kosovës, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin. Përkrahja jonë shprehet me dinjitet, qetësi dhe në mënyrë demokratike”, tha Lladrovci.
Ai përmendi edhe masakrat dhe varrezat masive në disa lokalitete të Drenasit, duke thënë se ato dëshmojnë për përvojën e drejtpërdrejtë të kësaj komune gjatë luftës.
Në mesin e folësve ishte edhe Altin Krasniqi, djali i Jakup Krasniqit. Ai u bëri thirrje qytetarëve që, sipas tij, të mos heshtin për luftën e UÇK-së dhe kërkoi bashkim të partive shqiptare rreth kësaj çështjeje.
“Ata që dikur na mbrojtën, sot kanë nevojë që ne të mos heshtim, duke mbrojtur luftën e drejtë të UÇK-së. Ne nuk po mbrojmë vetëm të kaluarën, por po mbrojmë edhe të ardhmen e shtetit tonë, kujtesën e brezave dhe të drejtën tonë për ta treguar historinë ashtu siç është”, tha Krasniqi.
Ai shtoi se, sipas tij, çështja e UÇK-së duhet të jetë mbi dallimet politike.
“Sot duhet t’i lëmë mënjanë të gjitha dallimet politike. Të gjitha partitë shqiptare duhet të bashkohen rreth një çështjeje që është më e madhe se secila parti, më e madhe se secili individ”, u shpreh ai.
Në protestë folën edhe përfaqësues të familjeve Deliu dhe Muçolli, anëtarë të të cilave u vranë gjatë luftës.
Imer Deliu kundërshtoi aktgjykimin, duke thënë se ai prek, sipas tij, jo vetëm ish-drejtuesit e UÇK-së, por edhe mënyrën se si trajtohet historia e luftës në Kosovë.
“Ky është një vendim të cilin të gjithë e kundërshtojmë dhe e thërrasim: ‘Jo në emrin tim!’. Vendimi i Gjykatës Speciale nuk i ndëshkon vetëm anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm dhe udhëheqësit e UÇK-së, por e ndëshkon historinë tonë. E përbalt gjakun e derdhur për liri të fëmijëve, nënave, motrave, të të gjitha gjeneratave”, tha Deliu.
Me të njëjtën thirrje u shpreh edhe Skender Muçolli, i cili kërkoi bashkim përtej dallimeve politike dhe individuale.
“Drejtësia për viktimat e luftës, përpjekjet për të vërtetën e luftës dhe ruajtja e asaj të vërtete për brezat që vijnë pas nesh janë çështje të cilat kërkojnë tejkalimin e kufijve individualë dhe bashkimin e të gjitha forcave dhe energjive në një drejtim të vetëm: në mbrojtjen e interesit nacional dhe kombëtar”, tha Muçolli.
Protesta në Drenas është pjesë e tubimeve të organizuara nga organizatat e dala nga lufta e UÇK-së në qytete të ndryshme të Kosovës, pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së. /Kp/ /Telegrafi/