Guri i Plakës
Monument natyror me karakter gjeomorfologjik te fshati Dritan–Dobroshec, rrëzë Çyçavicës — i çarë mespërmes nga hekurudha e vitit 1936.
Guri i Plakës, për të cilin janë thurur shumë mite dhe legjenda, është një monument natyror me karakter gjeomorfologjik që gjendet në fshatin Dritan–Dobroshec të komunës së Drenasit, rrëzë masivit malor të Çyçavicës.
Guri është çarë mespërmes nga një kompani franceze në vitin 1936, kur u ndërtua hekurudha Prishtinë–Pejë, e cila është e qarkullueshme tash e tetëdhjetë vjet.
Gojëdhënat e fshatarëve përreth, e sidomos të fshatrave Gradicë e Godanc, e paraqesin rastin duke pohuar se në afërsi të Gurit të Plakës ka qenë një lagje, një familje me dyzet anëtarë. Me pushtimin e sllavëve, në përleshje vriten tetëdhjetë persona, kurse plaka me dy nipat e saj i shpëton ngjarjes.
E moshuara të nesërmen, bashkë me nipat, bagëtitë, delet dhe dhitë, afrohet te guri ku edhe strehohet. Thuhet se ka jetuar gjithë jetën e saj në këtë gur, derisa është rrëzuar dhe ka humbur jetën.
Jo rrallë trillohen mitet dhe legjendat në Kosovë, dhe sajohen sipas trillit të njerëzve. Fat të këtillë ka pasur edhe Guri i Plakës.