Kalo te lajmet
e martë, 3 nëntor 2026 Drenas, Kosovë ☁ 6° ⌕ Kërko Rreth nesh Kontakt Na ndiqni: Facebook YouTube
⌕
Lajmi i fundit 20:14

Ballina › Arsim dhe Kulturë

Ne nuk harrojmë. Udhëtim drejt Poklekut të Vjetër – në shtigjet e dhimbjes dhe të kujtesës

3 nëntor 2026, 18:56

Ne nuk harrojmë. Udhëtim drejt Poklekut të Vjetër – në shtigjet e dhimbjes dhe të kujtesës

Ismet Rashiti

Kohë më parë, së bashku me bashkëvendësin dhe shokun tim të fëmijërisë, Xhelal Hoxhën, kishim vendosur të vizitonim Drenasin heroik, shtëpinë muze ku kishte ndodhur masakra e Poklekut tē Vjetēr dhe shtëpinë muze të poetit Ymer Elshani. Një mëngjes tetori, u nisëm me veturën e vogël „Polo“ të Xhelalit. Gjatë rrugës kishim ndjenja të përziera, sepse e dinim sa e tmerrshme kishte qenë masakra ndaj familjes Muçolli të Poklekut të Vjetër dhe sa tragjike kishte qenë shuarja e penës së poetit Ymer Elshani, i cili, po ashtu, ishte vrarë në këtë masakër. Pak kohë më parë e kisha lexuar romanin dokumentar me titull „Revolta e Sizifit“, të autorit Bardhyl Mahmuti. Sa më shumë që i afroheshim këtij vendi të shenjtë, aq më tepër ndienim dhimbje për ata dhjetëra fëmijë, gra e burra, të bërë shkrumb e hi nga forcat policore të shtetit serb.

Udhëtonim me veturën „Polo“, në heshtje, pa folur dhe me mendje të tretur në ato ngjarje tejet të dhimbshme. Rrëfimet aq prekëse dhe tronditëse të autorit Bardhyl Mahmuti ende i kisha të freskëta në kujtesë. Mezi prisnim që, së bashku me bashkëveprimtarin tim, Xhelal Hoxhën, ta shihnim, ta preknim dhe ta nderonim me përulësi, nga afër, atë vend që dëshmonte tmerrin e gjenocidit serb në fshatin Poklek i Vjetër. Gjatë këtij udhëtimi të heshtur, nëpër rrugën herë-herë të drejtë e diku-diku gjarpërore, shihnim në të dyja anët e saj lapidarë e buste heronjsh, të cilët kishin rënë heroikisht si pjesëtarë të UÇK-së për çlirimin e Kosovës. Me një fjalë, në çdo hap na përcillte lavdia e tyre e përjetshme.

Sa më shumë i afroheshim Poklekut të Vjetër, aq më shumë na bëhej sikur po e shihnim trishtimin në sytë e fëmijëve, grave e burrave, përballë flakëve dhe breshërisë së plumbave, si dhe granatimeve që binin mbi muret e kullës, ku ishin grumbulluar më shumë se 53 pjesëtarë të kësaj familjeje atdhetare, mbi gjakun e të cilëve u ngrit liria e Kosovës.

Në Poklek na priti Fadil Muçolli, pjesëtar i kësaj familjeje emblematike, dëshmitar i gjallë i masakrës dhe pjesëtar i UÇK-së. Pa vonuar shumë, Fadili doli të na priste në hyrje të fshatit. Fytyra e tij e zverdhur dhe plot rrudha sikur pasqyronte të gjitha ato përjetime e tragjedi që kishte përjetuar.

U përqafuam përzemërsisht dhe, ashtu të heshtur, u nisëm drejt shtëpisë muze. Pa kaluar shumë kohë, u gjendëm në oborrin e shtëpisë. Ngadalë, me zemrën të ndarë më dysh, u futëm brenda, në dhomën ku ishin bërë shkrumb 53 anëtarë të kësaj familjeje.

Në dysheme ende kishte mbetur hiri i trupave të djegur, si në një krematorium. Muret e nxira, vrimat e shkaktuara nga granatimet dhe gjurmët e tymit të bombave tregonin gjithçka. Fadili, me zë të dridhur e me zemër të përvëluar, nisi të na tregonte për gjithçka që kishte ndodhur. Mua dhe Xhelalit na ishte zënë fryma; nuk na dilte zë nga goja. Me sy të trishtuar e të mbushur me lot, dëgjonim dhe përpinim çdo fjalë që dilte nga goja e Fadilit.

Në dhomë pamë hirin e trupave të 53 njerëzve të pafajshëm, brenda pragut të shtëpisë. Teksa qëndronim gojëhapur, pa fjalë, në shtëpinë muze të kësaj familjeje atdhetare e zemërmadhe, na bëhej sikur po dëgjonim zërat e fëmijëve, britmat e grave dhe të burrave me trupat e përflakur, vetëm pse ishin shqiptarë, den baba den në këto troje. Të shtangur dhe në heshtje, shikonim hirin e eshtrave të djegura, orën e murit, akrepat e së cilës kishin ndalur bashkë me të rrahurat e 53 zemrave. Në dhomë kishin mbetur ende skeleti i enëve dhe frigoriferi i shkrumbuar, si një përmendore mbi hirin e trupave të kësaj familjeje, dëshmi e gjenocidit serb që nuk harrohet kurrë.

Teksa po shikonim me sytë tanë këtë tmerr, na ishte tharë goja. As unë, as shoku im nuk gjenim fjalë. Kishim mbetur të shtangur. Nuk gjenim as fjalë ngushëllimi. Na bëhej sikur, në raste të tilla, fjala nuk ka asnjë peshë. Ecnim ngadalë dhe në heshtje, pa mundur t’i gjenim fjalët e duhura.

Kaluam në dhomën e rrobave. Disa prej tyre ishin gjysmë të djegura, disa të tjera të shpuara nga plumbat, ndërsa pjesa më e madhe ishte bërë shkrumb. Pak më tutje ndodheshin lodrat e fëmijëve dhe shishet e qumështit të lëna përgjysmë, me qumësht të përzier me gjak, i cili ishte shpërndarë si një lumë i kuq dhe kishte rrjedhur deri në bodrum.

Të pikëlluar pa masë, dolëm ngadalë në oborrin e shtëpisë muze të familjes Muçolli. Aty, pranë portës, në dheun e kuq na pikuan lotët e dhimbjes së madhe. Mbi lotët tanë ranë edhe dy dardha ujëse, të cilat ishin pjekur dhe nuk kishte kush t’i mblidhte, sepse në atë oborr tashmë nuk jetonte më askush nga kjo familje. Edhe ata që kishin mbijetuar, tashmë e kishin vazhduar jetën në truallin e ri, të trashëguar nga të parët. Të tretur në mendime, me një barrë të rëndë mbi supe, vazhduam rrugën drejt fshatit Korroticë e Poshtme, në vendlindjen e poetit Ymer Elshani.

Shtëpia e poetit tashmë ishte shndërruar në shtëpi muze. Brenda saj ndodheshin biblioteka, makina e shtypit, fotografia e madhe në mur, pena e ndryshkur, dhoma e fjetjes e shumëçka tjetër, të cilat edhe sot, pas kaq vitesh, flasin dhe do të flasin përgjithmonë si porosi për brezat e ardhshëm, se sa shumë duhet sakrifikuar për lirinë e kësaj toke, të skuqur me gjakun më të mirë të shumë brezave. Teksa shikoja fotografitë e dhimbjes të varura në mur dhe librat në raftet e bibliotekës, të ruajtura me kujdes, papritur m’u kujtuan disa vargje të poetit Ymer Elshani për shqiponjën, tē shkruara si një permendore nē zemēr tē popullit:

Shqiponja e mprehtë – vetëtimë, Vetëtimën e ka marrë – Nga retë e qiellit. Bebëzat e mbushura – Shkëlqim, Shkëlqimin e ka marrë – Prej rrezeve të diellit. ……..

Aty na pritën përzemërsisht tre nga miqtë e poetit. Biseduam me admirim për Ymerin, si njeri, si mik dhe si poet. Pasi shkruam në librin e kujtimeve, dolëm në oborr. Në një kënd ndodhej traktori me të cilin poeti Ymer Elshani, pas përjashtimit nga procesi arsimor, kishte punuar tokën e tij në fshatin Korroticë e Poshtme, i cili tashmë njihet edhe si fshati i poetit Ymer Elshani! Pas këtyre dy vizitave, së bashku me Xhelalin, u kthyem të dërrmuar nga gjithë ajo histori e lavdisë dhe e dhimbjes kombëtare. Në fund të ditës u ndalëm në fshatin Dugë, i cili shtrihet në brezin e luftës çlirimtare, aty ku ishin zhvilluar beteja të ashpra çlirimtare.

Tash, në Kosovën e lirë, këto maja malore, dikur të pakalueshme, kishin marrë pamje të bukura turistike. Atje lart, miku im, shoku i celulës së LPRK-së, Eqrem Krasniqi, kishte lëshuar rrënjë të thella me investimet e tij, të cilat ua kishin shtuar gjallërinë këtyre bjeshkëve, së bashku me gurgullimën e ujit të kulluar si loti dhe zërin e ëmbël të zogjve. /Epoka e Re/

Ndaje këtë lajm Facebook Viber

Lajme të tjera

↑