Komuna e Drenasit shpallet fituese në vendin e parë të Grantit të Performancës, fiton mjete mbi 2 milion euro

Kryetari i Komunës së Drenasit, të enjten ka marr pjese në ceremoninë e ndarjes së Grantit të Performancës, të organizuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, ku edhe ka marr çmimin e parë të konfirmuar edhe vlerën prej 2,034,775.88 euro.

Në prani të ministrit të MAPL-së, Elbert Krasniqi, ambasadorit të Zvicrës, Thomas Kelly, ambasadorit të Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, të ambasadorit të Norvegjisë, Jens Erik Grondahl, përfaqësuesit të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Demos-it, kryetari Lladrovci ka pranuar çmimin për vendin e parë në garën për Performancë komunale.

Më poshtë gjeni postimin e plotë të kryetarit Lladrovci;

Sot, në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, mora pjesë në ceremoninë e ndarjes së Grantit të Performancës, ku komuna e Drenasit, zuri vendin e parë dhe fitoi grantin me vlerë 2,034,775.88 euro.

Në prani të ministrit, z. Elbert Krasniqi, ambasadorit të Zvicrës, z. Thomas Kelly, ambasadorit të Suedisë në Kosovë, z. Jonas Westerlund, të ambasadorit të Norvegjisë, z. Jens Erik Grøndahl, përfaqësues i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë dhe “Demos”-it, pranova çmimin për vendin e parë në garën për Performancë komunale.

Meqenëse jemi në mes të datës së Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës dhe Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Marsin legjendar, kush më shumë e më mirë se presidenti Hashim Thaçi është personi që identifikohet me këto dy ngjarje të rëndësishme për qenien tonë.

Prandaj, vendin e parë për performancën komunale të Drenasit në nivel nacional, ia dedikoj Presidentit dhe shpallësit të Pavarësisë së Kosovës, shokut e bashkëpjesëmarrësit në aksionet e para të armatosura të UÇK-së, Hashim Thaçit.

Krenar me bashkëpunëtorët, zyrtarët komunalë dhe bashkëpunimin e qytetarëve të komunës së Drenasit që kontribuan për këtë sukses të madh, duke dëshmuar performancën tonë të shkëlqyer në shërbim të qytetarëve.

Vendi i parë është arritur falë përkushtimit të secilit zyrtar të ngarkuar me çështjen e performancës si dhe përkrahjen e institucioneve vendore e ndërkombëtare që merren me Grantin e Performancës. Vendi i parë nuk është befasi, sepse me vite, jemi komunë në krye të renditjes me suksese të pamohueshme në nivel nacional.

Faleminderit ministër Krasniqi, ambasador Kelly, ambasador Westerlund, ambasador Grøndahl, përfaqësues i Zyrës së BE-së në Kosovë, “Demos”, donatorë dhe mbikëqyrës të performancës.

Puna jonë e shkëlqyer, është vlerësuar dhe shpërblyer me meritë. Granti do të jetë në shërbim të mirëqenies së qytetarëve të komunës së Drenasit. Faleminderit, faleminderit, faleminderit!

SHPËRNDAJE