A do të ndodh fuzionimi mes ish-kampionit të Kosovës dhe KF Drenasit – flasin nga klubi i Feronikelit

Ish-kampioni e Kosovës, Feronikeli po kalon një ediocion të vështirë, kjo pasi ‘Industrialistëve’ qysh para fillimit të edicionit iu bllokua merkato nga UEFA, për shkak të problemit me financa.

Kriza e madhe financiare ka bërë që Feronikelit t’i largohen një kontigjent lojtarësh ga skuadra, kur prej tyre shtatë futbollistë u larguan nga Feronikeli, por mbetën në Drenas.

Dhe, pak para fillimit të stinorit vjeshtor, mendohej se klubi mbase do të fuzionohej me atë të Drenasit, por një gjë të tillë e ka mohuar përgjegjësi i Feronikelit, Erlind Krasniqi, i cili është autorizuar të flas në emër të klubit derisa të zgjedhet kryesia. Madje, fuzionimi nuk është as në planet e Feronikelit.

“Nuk është në plan fuzionimi mes klubeve, nuk e di se çka mund të ndodhë në të ardhmen dhe nuk e shoh korrekte të flas për këtë çështje, pasi që deri më tani kemi funksionuar si dy klube të ndara, gjë që vazhdojmë ta bëjmë edhe tani. Kemi raport të mirë me skuadrën e Drenasit, prandaj edhe shkëmbimi i lojtarëve mes klubeve nuk është një risi e këtij afati kalimtar “ – tha Krasniqi për Insportin.

Ndryshe, sipas rregullores së FFK-së, klubet e regjistruara në FFK mund të fuzionohen në një të vetëm në bazë të Rregullores së garave. Klubi i ri duhet të ketë emrin e ri ndryshe nga të mëparshmit, si dhe emrat e mëparshëm të klubeve të fuzionuara shuhen.

Tutje, ai konfirmoi se klubi do të vazhdojë garën në Superligën e Kosovës me futbollistët që kanë mbetur në ekip dhe me juniorët.

“Siç dihet tashmë, Feronikeli është në krizë financiare, mirëpo kjo nuk do të thotë që do të ndalojmë garat. Ka shumë futbollistë që kan paditur klubin për pagat e mbetura dhe si pasojë e penalizimeve të FIFA-s, ne nuk mund të rexhistrojmë lojtarë të rinjë. Ky fakt na ka penalizuar jashtë mase, pasi që është dashur të konsolidohemi si një ekip me burime të shkollës së futbollit të Feronikelit dhe ky është edhe plani për zhvillimin e ndeshjeve të stinorit pranveror, pra me lojtar që kanë vendosur të qëndrojnë dhe me ata të juniorëve” – përfundoi ai.

Sezoni pranveror në BKT Superligën e Kosovës do të rinisë më 12 e 13 shkurt. Ndërsa me rezultatet e arritura deri tani nga skuadra, mund të flitet vetëm për mbijetesë. Teksa, KF Drenasi bën gara në Grupin A të Ligës së Parë në futbollin kosovar, ndërsa ndodhet në pozitën e nëntë me 15 pikë.

/Insporti.com

SHPËRNDAJE