FSK: Në Drenas shpëtuam 43 qytetarë nga vërshimet

Forca e Sigurisë e Kosovës (FSK), pas reshjeve të vazhdueshme ditëve të fundit dhe vërshimeve në gjithë territorin e Kosovës, me njësitet e specializuara për reagim në kriza, ekipet e kërkim-shpëtimit dhe të xhenios, u doli në ndihmë qytetarëve dhe institucioneve shtetërore në përballimin e situatës, me fokus të veçantë në shpëtimin e jetës së njerëzve.

Pas vërshimeve të para (06.01.2021), FSK-ja ka marrë masat për të vlerësuar situatën në terren, duke angazhuar Kompaninë për Operacione me Civilë, në nivel vendi.

Më 08.01.2021, janë pranuar kërkesat e para për mbështetje nga Komuna e Gjakovës, përmes institucioneve qeveritare për t’i mbështetur autoritetet civile, për zhvendosjen dhe strehimin e 55 qytetarëve në Aeroportin e Gjakovës.

Në ditët në vazhdim ekipi i kërkim-shpëtimit ka intervenuar në fshatin Kuzmin të Fushë-Kosovës, ku ka shpëtuar 3 qytetarë të ngujuar në shtëpitë e tyre.

Operacionet e FSK-së, kanë vazhduar edhe më 10, 11 e 12 janar, për t’u dalë në ndihmë qytetarëve dhe institucioneve në përballimin e situatës emergjente. FSK-ja i ka dalë në ndihmë Policisë së Kosovës, në pengimin e përmbytjes së objektit të Forenzikës të Policisë së Kosovës, ku janë angazhuar ekipet xheniere të Gardës Kombëtare, gjithashtu kanë intervenuar edhe në Klinikën e Pulmologjisë në QKUK-së, ku kanë penguar përmbytjen e objektit.

Njësiti i kërkim-shpëtimit në ujëra, më 11.01.2021, gjatë ditës dhe natës ka vepruar në rajonin e Drenasit, në fshatrat Poklek, Shtrubullovë e Komaran, ku ka shpëtuar 43 qytetarë të ngujuar në shtëpitë e tyre.

Ekipi i kërkim-shpëtimit, po këtë ditë, ka shpëtuar dhe evakuuar 3 banorë të fshatit Volljak të Klinës.

Më 12 janar, ekipet profesionale të FSK-së, kanë realizuar operacione të kërkim-shpëtimit edhe në Komunat: Fushë-Kosovë, Vushtrri dhe Prizren, ku kanë shpëtuar dhe evakuuar 16 persona.

FSK-ja është në gjendje gatishmërie 24 orë në 7 ditë të javës për të intervenuar me kapacitetet e saj operacionale, duke iu përgjigjur kërkesave që vijnë nga institucionet shtetërore.

Vërshimet kanë shkatërruar edhe infrastrukturën rrugore, ku janë dëmtuar disa ura. FSK-ja me ekipet e xhenios, kanë bërë vlerësimin e urës së dëmtuar në fshatin Dobroshec të Drenasit dhe urës në fshatin Hajnoc të Kamenicës, me qellim të ngritjes së urave mobile të FSK-së për të mundësuar lëvizjen e lirë të qytetarëve.

Forca e Sigurisë e Kosovës është e përgatitur për t’u dalë në ndihmë institucioneve të Kosovës dhe të gjithë qytetarëve në raste të situatave emergjente si në: kërkim-shpëtim në ujëra, male dhe kërkim-shpëtim urban.DrenicaOnline.

SHPËRNDAJE