Vajza e Dr. Lec Gradicës në protestë: Ne nuk kërkojmë privilegj, ne kërkojmë drejtësi
Në protestën e mbajtur në sheshin e Prishtinës me moton “Jo në emrin tim”, kundër aktgjykimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ka mbajtur fjalim edhe Lavdie Gradica, vajza e mjekut të rënë në luftë, Dr. Lec Gradica.
Në fjalimin e saj, Gradica foli për të atin, i cili gjatë luftës shërbeu si mjek dhe u angazhua në trajtimin e të plagosurve. Ajo rrëfeu për angazhimin e prindërve të saj gjatë vitit 1998 dhe për themelimin e Spitalit Ushtarak të Gradicës, ku, sipas saj, u trajtuan shumë të plagosur gjatë luftës.
“Sa krenare ndihem të flas para jush për pjesën më të lavdishme të historisë sonë, po aq dhimbje ndiej që, kaq vite pas luftës së lavdishme të UÇK-së, si popull ende po orvatemi t’i dëshmojmë botës se bijtë dhe bijat e kësaj toke, të cilët morën armët në dorë për të mbrojtur tokat tona, për të mbrojtur jetët tona dhe për të na sjellë lirinë, janë të pafajshëm”, tha ajo.
Gradica tregoi se babai i saj, Lec Gradica, iu përgjigj thirrjes për të shërbyer gjatë luftës, duke e përshkruar misionin e tij si human dhe atdhetar.
Sipas rrëfimit të saj, gjatë pranverës së vitit 1998, prindërit e saj qëndruan në Gradicë, ku u shërbenin ushtarëve të UÇK-së dhe popullsisë së asaj ane.
“Babai im ishte mjek në luftë. Ishte aty për t’i shpëtuar jetët e të plagosurve, për t’i ndihmuar njerëzit dhe për t’i shërbyer popullit të tij. Edhe babi, si shumë liridashës dhe si mantelbardhë, iu përgjigj kushtrimit të atdheut qysh në ilegalitet, pa iu trembur syri”, u shpreh ajo.
Ajo tha se, për shkak të nevojave të shtimit të numrit të të plagosurve, babai i saj mori përsipër themelimin e Spitalit Ushtarak të Gradicës.
“Babi, duke parë se nevojat shtoheshin dita-ditës, mori përsipër dhe e themeloi Spitalin Ushtarak të Gradicës, spital në të cilin u shëruan shumë plagë lirie”, deklaroi Gradica.
Sipas saj, Lec Gradica vazhdoi të shërbente në malet e Qyqavicës deri në rënien e tij më 24 shtator 1998.
Gradica foli edhe për nënën e saj, duke treguar për humbjen e dy familjarëve të saj gjatë luftës.
“Unë jam rritur me mungesën dhe dhimbjen e një familjeje që humbi figurën atërore. Por jam rritur edhe me krenarinë se ai zgjodhi të ishte aty ku Kosova kishte më së shumti nevojë për të”, tha ajo.
Duke iu referuar aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, Gradica tha se familjet e dëshmorëve dhe mbështetësit e tyre nuk do të lejojnë, sipas saj, që historia e luftës të rishkruhet apo të shtrembërohet.
“Duke parë që sot në Hagë janë dënuar njerëz që janë pjesë e historisë së luftës sonë të UÇK-së, ne nuk do të lejojmë që ky aktgjykim të validohet e kjo histori të rishkruhet e as të shtrembërohet. Ne e respektojmë drejtësinë. Por drejtësia duhet të jetë e drejtë”, tha ajo.
Ajo iu drejtua edhe ish-krerëve të UÇK-së që ndodhen në Hagë, duke thënë se nuk janë të vetëm.
“Sot, nga ky shesh, dua t’u them atyre që janë në Hagë: ju nuk jeni vetëm. Pas jush janë familjet e atyre që u flijuan, pas jush janë fëmijët që u rritën pa prindërit e tyre, pas jush janë mijëra njerëz dhe gjithë populli liridashës që e kujton luftën e UÇK-së dhe sakrificën ndër shekuj”, deklaroi Gradica.
Në përfundim të fjalimit, ajo tha se kërkesa e familjeve të dëshmorëve dhe protestuesve nuk është për privilegj apo hakmarrje, por për drejtësi.
“Ne nuk kërkojmë privilegj. Ne nuk kërkojmë hakmarrje. Ne kërkojmë drejtësi. Në emër të dëshmorëve, për familjet tona dhe për ju që sot prisni drejtësinë në Hagë. Duam drejtësi për çlirimtarët! Lavdi të gjithë atyre që dhanë jetën për atdheun!”, përfundoi ajo./Telegrafi/