Heroi Hafir Shala përjetësohet ne bronz në Ditën e Çlirimit të Drenasit

Më rastin e shënimit të 22 vjetorit të Ditës së Çlirimit të Drenasit, Heroi i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Doktor Hafir Shala, përjetësohet në bronz në oborrin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare që me krenari mban emrin e tij.

Nën përkujdesjen e Presidentë së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe Kryetarit të Komunës së Drenasit, Ramiz Llardrovci, është bërë zbulimi i shtatores së Doktorit Hafir Shala.

Në këtë aktivitet, merrnin pjesë, kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, këshilltari i presidentes Vjosa Osmani, Vehbi Miftari, kryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, deputet të Kuvendit e anëtar të asamblesë komunale, shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së, familjar të doktorit Hafir Shala, personalitete të ndryshme, bashkëveprimtar e bashkëluftëtarë dhe shumë qytetarë.

Fillimisht, është bërë zbulimi i shtatores se doktorit Hafir Shala, pastaj janë mbajtur fjalime para të pranishmëve.

Fjalë rasti pati, kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, këshilltari i presidentes, Vehbi Miftari, nga Agjencioni për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale, Bislim Zogaj, një historik mbi jetën e veprën e heroit Hafir Shala e ka paraqitur doktori i shkencave të historisë, Lulzim Nika, nga shoqatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka folur Enver Hajdari dhe ne emër të familjes, djali i heroit, Gentrit Hafir Shala.

Fjalimi i kryetarit Lladrovci ne përurimin e shtatores se heroit, Hafir Shala;

E nderuara familje e humanistit dhe heroit Hafir Shala,

Familjarë të dëshmorëve, veteranë e invalid të UÇK-së,

Sot, nën organizimin e Presidencës së Republikës së Kosovës, dhe Komunës së Drenasit, financuar nga Agjencioni për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale, po përmbushim një detyrim ndaj humanistit dhe heroit tonë Hafir Shala.

Ky detyrim i yni, po realizohet në Ditën e Çlirimit të Drenasit, po përjetësohet me shtatore, humanisti dhe mjeku i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, themeluesi i Spitalit të parë fushor të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Dr. Hafir Shala.

I shquar nga koha e veprimtarisë ilegale, ai do të ishte brezi që i takoi të ishte shok burgu me Adem Demaçin e atdhetarët tjerë. Në veçanti, heroi Hafir Shala kishte miqësi me Fehmi Lladrovcin dhe bashkëpunëtor të tjerë, që nga rinia e hershme në Drenas, për të vijuar në burgje dhe pas lirimit për të vazhduar në vijën e përbashkët të frontit me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Humanisti Hafir Shala, i brumosur me ndjenjat më të çmuara nacionale, do të bëhej pjesë e pajtimeve të gjaqeve me atdhetarin e jashtëzakonshëm, Profesor Doktor, Anton Çeta. Doktor Hafir Shala si themelues i “Shoqatës Nëna Terezë”, themeloj pikat e para shëndetësore të pavarura në komunën e Drenasit, pas mbylljes së tyre nga okupatori.

Mjek e luftëtar, humanist e atdhetar, në gjirin e popullit të vet, duke ia mjekuar plagët e trupit e shpirtit, ushtarëve të UÇK-së dhe popullit të përjashtuar nga përkujdesja e regjimit kriminal, ky ishte Doktor Hafiri.

Sot, në këtë manifestim të përurimit të shtatores së heroit Hafir Shala, në Ditën e çlirimit të Drenasit, mungojnë edhe personalitetet e ditëve të para të aksioneve, që padrejtësisht po mbahen në Hagë, Ish presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ish-krye parlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, ish deputeti Rexhep Selimi dhe bashkëluftëtarë tjerë.

Të nderuara zonja e zotërinj,

Unë kam ndjerë dhe ndjej obligim, jo vetëm për shkak të lidhjeve  familjare me humanistin dhe heroin Hafir Shala, por edhe si bashkëveprimtar e bashkëluftëtar, kam ngritur shqetësimet e të gjithë neve për fatin e tij.

Edhe para shumë vitesh, në Kuvendin e Republikës së Kosovës, edhe në përvjetorët e organizuar kushtuar humanistit e heroit Hafir Shala, por edhe si kryetar i Drenasit, kam kërkuar nga Prokuroria speciale të ndriçohet fati i doktorit, humanistit dhe mjekut të UÇK-së.

Neve, të gjallëve, shokëve dhe bashkëluftëtarëve të doktorit të UÇK-së, na mbetet detyrim moral e njerëzor ta ndriçojmë fatin e bashkëluftëtarit dhe bashkëqytetarit tonë të jashtëzakonshëm

Sot, në këtë manifestim na mungon Baca Isuf e nëna heroinë, Shehidja, të cilët kaluan në amshim me mallin e birit të tyre të çmuar e heroit tonë.

Familja, ashtu sikurse edhe të gjithë ne, kemi lehtësim, sepse sot në vend meritor, në zemrën e qytetit tonë, shtatorja e humanistit dhe heroit Hafir Shala do të mbajë ligjëratën e përjetshme për gjeneratat e tashme dhe të ardhme se si duhet atdheu dhe kombi, se sa e shtrenjtë është liria.

Në Ditën e Çlirimit të komunës tonë, vije i përjetësuar në bronz, humanisti e heroi ynë, Dr. Hafir Shala, për të na kujtuar edhe një herë se liria është më e shtrenjtë se jeta.

Lavdi jetës dhe veprës së Dr. Hafir Shalës!

Lavdi heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të kombit!

Lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!

   
SHPËRNDAJE