Kryetari i Komunës së Drenasit, të shtunën ka pritur në takim deputeten e kantonit të Gjenevës nga Zvicra, Ana Roch.
Në këtë takim, kryetari Lladrovci ka falënderuar deputeten Roch për vizitën që i është bërë Komunës së Drenasit dhe ka njoftuar për angazhimin, punët dhe projektet që janë zhvilluar e që po zhvillohen për mirëqenien e qytetarëve të Drenasit, për sfidat dhe përgjithësi për gjendjen në Drenas. Kryetari Lladrovci ka shprehur gatishmërinë e bashkëpunimit me qytetin e Gjenevës për të mirën e përgjithshme të Drenasit.
Ndërsa deputetja e kantonit të Gjenevës, Ana Roch, ka falënderuar kryetarin Lladrovci për pritjen dhe ka përgëzuar për sukseset e arritura gjatë qeverisjes si kryetar komune, e po ashtu ka uruar edhe për vendin e parë në performim, transparencë e llogaridhënie. Deputetja Roch ka shtuar se do të shikojnë të gjitha mundësitë e bashkëpunimit ne të ardhmen mes qytetit të Gjenevës dhe Drenasit.
Kryetari Lladrovci në shenjë falënderimi për vizitën dhe gatishmërinë e bashkëpunimit të ndërsjellë, deputetes Roch i ka dhuruar medaljonin e punuar nga gratë e Qendrës për Promovimin e Drejtave të Grave (QPDG) në Drenas.
SHPËRNDAJE