Kryetari Lladrovci pret në takim Ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci të mërkurën ka pritur në takim, ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, ku kanë diskutuar për arritjet dhe sfidat e mjekësisë parësore në komunën e Drenasit.

Kryetari Lladrovci ka falënderuar ministrin Vitia për vizitën, dhe ka theksuar rëndësinë e fuqizimit të përkujdesjes parësore, duke ndikuar në cilësinë e shërbimeve shëndetësore edhe për nivelet tjera të përkujdesjes, me shërbimet e obligueshme shëndetësore.

Lladrovci ka falënderuar ministrin Vitia për bashkëpunimin e ngushtë gjatë pandemisë, duke shtuar se mirëpresim fillimin e ndërtimit të objektit të QKMF-së, përmirësimin e furnizimit me barna e material shpenzues dhe angazhim të stafit profesional në përkujdesjen publike shëndetësore. Buxheti i këtij viti në komunën e Drenasit për shëndetësi është dyfishuar dhe pas arsimit, bashkë me zhvillimin ekonomik, përbën prioritetin e qeverisjes time, ka theksuar kryetari Lladrovci.

Ndërsa, ministri Vitia ka falënderuar kryetarin Lladrovci për pritjen dhe ka shtuar se prioritet i Ministrisë është përmirësimi i kushteve dhe ofrimi i shërbimeve në shëndetësi, duke përmendur edhe përkrahjen e institucioneve lokale për realizimin e investimeve kapitale të cilat do të realizohen nga Ministria e Shëndetësisë, me theks të veçantë ndërtimi i QKMF-së, por edhe mundësitë tjera që qytetarëve t’u ofrohet infrastrukturë cilësore në nivelin primar të shëndetësisë.

Kryetari Lladrovci dhe ministri Vitia u dakorduan për një bashkëpunim me efektiv sa i përket aspektit infrastrukturor apo edhe të fuqizimit me pajisje shëndetësore që do të jenë në shërbim të qytetarëve.

SHPËRNDAJE