Fillimi i gjysmëvjetorit të dytë më 18 janar është vënë në pikëpyetje. Derisa në Ministrinë e Arsimit janë zotuar se po bëhen përgatitjet që mësimi të nisë, në Sindikatën e Arsimit thonë se kjo nuk është e sigurtë.
Kjo pasi SBASHK-u po pret që deri të gjendet zgjidhje për dy kërkesat e tyre: nënshkrimin e kontratës kolektive dhe nga 100 euro shtesë për punëtorët e arsimit.
Kryesindikalisti i SBASHK-ut, Rrahman Jashari ka pohuar se mbështetja me nga 100 euro për mësimdhënësit në kohë të pandemisë do të ishte e duhur.
Ai thotë se në takimet me ministrin e Arsimit dhe Shkencës i ka prezantuar kërkesat e tyre.
“Punëtorët e arsimit duke parë që janë të prekur me Covid, kërkojmë mbështetje materiale edhe për sektorin e arsimit. Ne kemi kërkuar një mbështetje prej 100 euro për mësimdhënsit. Fillimi i gjysmëvjetorit të dytë mund të jetë me probleme nëse Qeveria Hoti nuk i merr përbazë kërkesat tona që tashmë janë edhe publike. Unë kam pasur takime me ministrin dhe kemi marr mbështetje që edhe mësimdhënësit të jenë të mbështetur, uroj që kjo Qeveri të ulet dhe të bisedoj për kërkesat tona”, tha Rrahman Jashari.
Në anën tjetër në një intervistë për ‘Amfiteatër’, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj i cili vjen nga radhët e AAK-së, ka thënë se SBASHK-u duhet të mirëkuptojë situatën me pandeminë dhe ekonominë e vendit.
Ai tha se si ministër i Arsimit ka kërkuar nga qeveria mbështetje për kërkesat e SBASHK-ut. Likaj ndër të tjera pohoi se gjysmëvjetori i dytë duhet të filloj në kohën e paralajmëruar.
“ Ne e kuptojmë punën e mësimdhënësve sepse e atillë ka qenë situata në këtë kohë pandemie që ata të kenë jo të lehtë punën e tyre. Ne kemi shumë probleme kështu që unë kam kërkuar nga Qeveria edhe 4 ose 5 milionë euro shtesë, në mënyrë që mësimdhënësit t’i mbështetim, por jemi kundër grevave dhe kërcënimeve sidomos në këtë kohë”, tha ai.
Ndryshe MASH-i ka bërë të ditur se këtë vit nuk do të ketë pushim pranveror në shkolla, derisa edhe ditët e humbura në gjysmëvjetorin e parë do të kompensohen të shtunave.
SHPËRNDAJE