Lladrovci për atdhetarin Hysen Gega: Ishte besnik i rrugës së dëshmorëve!

Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, mori pjesë në varrimin e atdhetarit Hysen Gega, të cilin e cilëson si atdhetar i paepur, shok e veprimtar i devotshëm.

Lladrovci në rrjetin social ka shkruar se “çlirimi do të ishte pjesë e realizuar e idealeve të dëshmorëve tanë, të cilës Hysen Gega i kontribuoi me tërë qenien, me devotshmëri, sinqeritet dhe modesti”.

Posti i plotë i z. Lladrovci:

Në Sallagrazhdë, mora pjesë në varrimin e atdhetarit të shquar, shokut të Fehës dhe timin, Hysen Gega.

Veprimtaria atdhetare e Hysen Gegës filloi në fund të viteve ’70, kur kyçet në organizimet për ta kundërshtuar dhe luftuar me të gjitha mjetet regjimin okupator.

Që nga ajo kohë, kur Feha me rekomandim të Riza Vatës, shkoi në Gjermani dhe njohu Hysenin, kishte krijuar me të miqësi dhe shoqëri besnike të përjetshme, me qëllime dhe ideale të përbashkëta, lirinë e Kosovës. Nga atëherë, ai do të mbetet gjithmonë i çmuar në familjen tonë, si atdhetar i paepur, shok e veprimtar i devotshëm.

Veprimtaria e Hysenit, kishte filluar në rininë e hershme, për të vijuar deri në çlirimin e vendit. Burgosjet dhe torturat kundër tij, vetëm sa do ta bënin gjithnjë më të vendosur, për të kaluar nga fjalët në shkrepjen e armëve.

Në mërgim, do të ishte shok besnik i heronjve Jusuf dhe Bardhosh Gërvalla, Kadri Zeka, Fehmi Lladrovci dhe atdhetarët tjerë, kundër pushtuesit serb. Atje, ai ishte i njohur për organizimin e mërgatës, ku shquhej për guximin dhe përkushtimin atdhetar.

Gjuhën e armëve, armiku më së miri e kuptonte, andaj, ai me tërë qenien u vu në shërbim të kësaj kauze, për organizimin rreth çlirimit të vendit, pavarësisht sakrificës.

Rreshtimi në UÇK që në ditët e para, ishte rruga e natyrshme jetësore e Hysen Gegës. Çlirimi do të ishte pjesë e realizuar e idealeve të dëshmorëve tanë, të cilës ai i kontribuoi me tërë qenien, me devotshmëri, sinqeritet dhe modesti.

Pas çlirimit, mbeti në rrugën e idealeve të dëshmorëve tanë, duke ruajtur vetitë e tij, sinqeritetin dhe modestinë, duke kontribuar në shtetndërtim dhe realizimin e lirisë.
Hysen Gega, mbetet në kujtimet e mia, si kontribuues i madh për çlirim, model i atdhetarit të sinqertë e të devotshëm, atdhetar që në çdo kohë ishte i gatshëm të jepte gjithçka për kombin.

I përjetshëm është kujtimi për Hysen Gegën!

SHPËRNDAJE