Ndërprerje të furnizimit me ujë të pijshëm edhe ne Drenas

Kompania rajonale e ujësjellësit “Prishtina” ka bërë të ditur se për turbullirën e ujit në kanalin e Ibër Lepencit do të ndërpritet furnizimi me ujë të pijshëm në Fushë-Kosovë, Obiliq, Drenas dhe në lagjen “Kalabria” në Prishtinë.

Ndërprerja njoftohet se do të bëhet në orën 9:30.

KRU “Prishtina” ka njoftuar se për shkak të reshjeve të dendura të shiut ditëve të fundit janë rritur edhe rrjedhjet sipërfaqësore në zonat fushore dhe pastaj ato në disa raste kanë përfunduar te kanali i Ibër Lepencit, kanal prej të cilit merret uji i papërpunuar për t’u trajtuar pastaj për pije ( FPU Shkabaj)

“Si shkak i reshjeve të dendura ditëve të fundit kemi rritje të turbullirës, nivel që bën të pamundur trajtimin e ujit për pije konform standardeve dhe teknologjisë që posedojmë. Me qëllim që të ruajmë kualitetin e ujit për pije, jemi të detyruar të ndërpresim furnizimin me ujë të pijshëm, duke filluar nga ora 09:30 për Fushë-Kosovën dhe lagjen ‘Kalabria’ në Prishtinë. Përveç ndërprerjes së detyrueshme të furnizimit me ujë të pijshëm për këto dy zona, ndërprerje do të kenë edhe Obiliqi dhe Drenasi”, thuhet në komunikatën për medie.

Në momentin që kushtet lejojnë që uji të trajtohet dhe të garantohet cilësia e duhur pas trajtimit, ne do ta rikthejmë gjendjen normale me trajtim dhe furnizim.

SHPËRNDAJE