Paraburgim për babë e bir për vrasjen në Gradicë të Drenasit

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurit XH.B. për veprën penale “Vrasje e rëndë”, “Mbajtja në pronësi kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” si dhe A.B., për shkak të veprës penale “Ndihmë për kryerjen e veprës penale Vrasje e rëndë”.

Gjyqtarja e procedurës paraprake, të pandehurve XH.B. dhe A.B. ju ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji për secilin veç e veç, përkatësisht prej datës 06 prill 2021 dhe do të zgjasë deri më datë 06 maj 2021

“I pandehuri XH.B. me datë 06 prill 2021 pasi kishte dëgjuar një moto sharrë duke prerë dru në zabel, me vete kishte marrë të pandehurin A.B. djalin e tij dhe një pushkë gjuetie dhe me veturë kishin shkuar në vendngjarje, respektivisht në zabel, dhe aty i pandehuri XH.B., me pushkë gjueti kishte privuar nga jeta tani të ndjerin A.M., 15 vjeçar, ndërsa ka mbetur rëndë i plagosur i dëmtuari B.M. babai i të ndjerit, i cili i është në gjendje kome në QKUK, pas një intervenimi që i është bërë në tru dhe gjendja e tij vazhdon të jetë kritike”, thuhet në njoftim.

Palët kanë të drejtë ankese kundër këtij aktvendimi pas marrjes së të njëjtit, në Gjykatën e Apelit të Kosovës përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë, ankesa nuk e pezullon ekzekutimin e këtij aktvendimi.

SHPËRNDAJE