“Jemi ndërtim e sipër në QMF në Baicë, ndërtimi i ndërtesës së AMF-së në Abri, renovimin e ndërtesës në Nekofc, renovimin dhe zgjerimin në Gllanasellë, renovimin e ndërtesës në Arllat, Sankofc e kështu më radhë” – kishte premtuar Lladrovci në 2021-ten.
Hulumtimi i KALLXO.com gjeti se kanë përfunduar punimet në rinovimin e shtatë AMF-ve.
Megjithë këtë, ndonëse në fshatin Abri e Epërme është renovuar, Ambulanca ka mbetur e mbyllur.
E për këtë kryetari Lladrovci premtoi në “Jeta në Komunë” funksionalizimin e saj “shumë shpejtë”.
“Ambulanta në Abri është funksionale, ka probleme me ujë sanitar në dy dhoma dhe ajo shumë shpejtë do të jetë funksionale” – tha Lladrovci gjatë debatit të transmetuar më 16.11.2024
Gjithashtu, problemin me ujë të pijes në Baica, kryetari Lladrovci në vitin 2021 kishte premtuar që do zgjidhë.
Por tash tri vite pas, banorët e fshatit Baicë ende përballen me këtë problem.
“Na rrjetin – atë që i takon Komunës, na e kena përfundu, por kapacitetet e ujit mungojnë në komunën tonë” – u aryestua Lladrovci më 16.11.2024.
Për një tjetër premtim të pambajtur si ai i ndërtimit të nënstacionit të zjarrfikësve në Komoran, Lladrovci fajin ia hodhi nivelit qendror.
“Agjencia e Menaxhimit Emergjent funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe 60 ari ata i kanë dhe duhet me vendosë për me ma dhanë mundësinë mu me investu. Unë, Policisë së Kosovës është dashtë me iu lut me ia dhanë një objekt, me nxjerrë Policinë e komunikacionit e me ua dhanë objektin e gatshëm në Komoran. Unë me zor nuk mundem me i shti. I ka çu mesazha, i kam shkru ministrit dhe me menxi e kemi votu atë në asamble” – deklaroi Lladrovci.
Një premtim tjetër e kryetarit të Drenasit ka qenë për ndriçmin publike duke thënë se “vitin tjetër do ta përfundojë 100%”.
Mirëpo, verifikimi i KALLXO.com në terren gjeti se banorët përgjatë rrugës Komoran – Sankoc janë ende në pritje të ndriçimit të premtuar.
“Unë e kam ba ndriçimin mbi 90%, të gjitha lagjeve dhe fshatrave tona. Rrugëve kah 7 kilometra nuk i ndriçoi prej një lokaliteti në një lokalitet tjetër se nuk kam as rrjet, sepse duhet me pasë rrjetin përgjatë udhës. Na ka mbetë edhe 10% që jemi duke përfundu ndriçimin” – u shpreh Lladrovci në “Jeta në Komunë” më 16.11.2024
Gjatë fushatës ishte premtuar ndërtimi i një Qendre Kryesore të Mjekësisë Familjare “Hafir Shala”, pasi ai aktuali është i vjetër dhe me infrastrukturë jo të mirë.
Por për realizimin e saj, Lladrovci kishte thënë se do ta kryente me një marrëveshje me Ministrinë e Shëndetësisë.
Tri vite pas, ai tha se ende nuk kanë filluar Ministria punimet për shkak se tenderi ndodhet në gjykatën e tenderëve.
“Na kena memorandum me Ministrinë e Shëndetësisë. Me këtë, na kemi humbë edhe buxhet tonin që kemi pasur për me marrë pjesë për me ndërtu. Mandej ata [MSh] e ka qitë në tendër, e kanë prishë “jo OShP-ja, jo USAID-i na i ka hekë kriteret”. Që katër vjet jam tu u shty me ta dhe prapë tenderi është në Organin Shqyrtues të Prokurimit. Ata i zhvillojnë procedurat, unë e kam bë projektin e kam rividu projektin nja 3-4 herë qysh e kanë kërku, normal kam bë shpenzime” – tha Lladrovci.
SHPËRNDAJE