Ramush Haradinaj viziton familjen Kiqina në Baicë

Në procesin e shtetformimit, disa familje u bën emblemë e përpjekjeve dhe sakrificës për liri.

Sot në Baicë të Drenasit, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka rikujtuar heroizmin shqiptar ndër breza, shkruan DrenicaOnline.

Sipas tij, familja Kiqina dha shembullin më të mirë të atdhedashurisë e patriotizmit, në të gjitha periudhat historike.

“E mahnitshme se si tradita shqiptare e shërbimit ndaj Atdheut, është përcjellur brez pas brezi në familjen e Miftar Kiqinës, babai i të cilit Bajrami ra dëshmor krahas Shaban Polluzhës, gjyshi i tij Ukshini, dëshmor në Luftën e Kërçovës, ndërsa në Luftën Çlirimtare, ai dha katër djemtë e tij dëshmorë”.

“Kam ndarë medaljen “ME BESIM NË ZOT, ATDHE E SHTET” për kontribut të jashtëzakonshëm në avancimin e çështjes kombëtare shqiptare, për prindër të dëshmorëve, që rritën, edukuan dhe i falën Atdheut, bijtë e tyre, që nderuan kombin shqiptar me trimëri e heroizëm; Miftar e Mihrije Kiqina, prindër të katër Dëshmorëve, Afrimit, Bajramit, Fatonit e Ramizit; Kumrije Kiqina, nëna e Milazim Kiqinës; Rrahmani e Hasibja, prindërit e Dëshmorit Rasim Kiqina”.

Përpjekja dhe sakrifica e tillë, deri në vetmohim, sipas ish kryeministrit ishin ato që siguruan qenien tonë në këto troje. Shqiptar ishim, si shqiptarë luftuam dhe shqiptarë do të mbesim përjetë.

SHPËRNDAJE