Dy persona kanë ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra gjatë një aksidenti të trafikut sot në Korroticë të Ulët të Drenasit.
Flora Ahmeti, zëdhënëse e policisë rajonale për Prishtinë, ka konfirmuar për KosovaPress se dy nga gjashtë personat, e lënduar që ishin dërguar për tretman mjekësor, njëra në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Komoran dhe tjetra në Drenas, nuk kanë arritur të përballojnë plagët e shkaktuara nga aksidenti dhe të njëjtat kanë ndërruar jetë.
“Vdekjen e viktimave L.P (femër) 45 vjeç, dhe Q.Th (femër) 26 vjeç e kanë konstatuar ekipet mjekësore në qendrat e sipërshënuara. Aktualisht hetuesit po vazhdojnë të kryejnë ekzaminimet e nevojshme dhe po ndërmarrin veprimet për zbardhjen e rrethanave të aksidentit”, ka thënë Ahmeti.
Ndryshe, sot rreth orës 16:00, në Korroticë të Ulët të Drenasit ka ndodhur një aksident trafiku, ku kanë qenë të përfshira dy automjete në lëvizje.
Bazuar në të dhënat fillestare, si pasojë e këtij aksidenti lëndime të rënda trupore kanë pësuar 6 persona dhe të njëjtit janë dërguar për trajtim mjekësor.
SHPËRNDAJE