Më rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Tokës, Komuna e Drenasit, përkatësisht Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Emergjencë në bashkëpunim me KRM “Pastrimi”, kanë organizuar me disa aktivitete simbolike shënimin e kësaj dite me mbjelljen e disa fidanëve, pastrimin e hapësirave publike si dhe vendosja e shportave në hapësirat publike të qytetit. Këto aktivitete simbolike, janë bërë për shkak të gjendjes së krijuar nga pandemia.
Në shënimin e kësaj dite ka marr pjesë edhe kryetari i Komunës, Ramiz Lladrovci i cili në mënyrë simbolike ka mbjellë një fidanë në sheshin “Fehmi Lladrovci” si dhe ka vendosur një shportë statike për vendosjen e mbeturinave në hapësirat publike. Kryetari Lladrovci gjatë shënimit të këtyre aktiviteteve u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos i hedhin mbeturinat në vendet publike, por në këto shporta, sepse vetëm duke ruajtur ambientin tonë që na rrethon, i kontribuojmë planetit në ruajtën e tij nga mbeturinat.
Me mbjellje të nga një fidanë, kanë kontribuar edhe nënkryetari Arben Shala, drejtoresha e Shërbimeve Publike, Lumnije Krapi, përfaqësuesit e KRM “Pastrimi” dhe qytetarë. Në këtë ditë, po ashtu janë vendosur shporta në hapësirat publike të qytetit, është bërë mbjellja e fidanëve dhe pastrimi i hapësirave publike.
Komuna e Drenasit mbetet e përkushtuar për një zhvillim të qëndrueshëm, për ruajtjen dhe administrimin e burimeve natyrore, duke krijuar një raport të drejtë midis shkallës së përdorimit dhe mbrojtjes së mjedisit. Mbrojtja e tokës dhe mjedisit nuk është çështje e një dite, por e vazhdueshme. Të gjithë brezat kanë përgjegjësinë historike të kontribuojnë në mbrojtjen e tokës dhe burimeve të saj.
SHPËRNDAJE