Nga Drenasi nis projekti për edukimin klimatik dhe energjinë e gjelbër nga GIZ Kosova dhe Caritas
GIZ Kosova dhe Caritas Switzerland në Kosovë kanë nënshkruar marrëveshje granti për projektin “Youth Empowerment in Green Energy” (YEGE), i cili synon të rrisë njohuritë dhe pjesëmarrjen e të rinjve në veprimin klimatik dhe tranzicionin energjetik.
Projekti u prezantua në Institucionin e Arsimit dhe Aftësimit Profesional “Fehmi Lladrovci” në Drenas, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të komunës, partnerëve të projektit, mësimdhënësve dhe nxënësve.
Përmes YEGE do të mbështeten 30 Eco Klube në dhjetë komuna, prej të cilave 15 do të jenë klube të reja, ndërsa 15 të tjera do të ndërtojnë mbi përvojën e projektit të mëparshëm “Youth Environmental Impact” (YENI).
Sipas organizatorëve, nxënësit do të kenë mundësi të zhvillojnë iniciativa për klimën dhe mjedisin, të përgatisin propozime për projekte të gjelbra dhe të bashkëpunojnë me komunat në hartimin e planeve të veprimit mjedisor të shkollave.
“Të rinjtë duhet të jenë pjesë e zgjidhjes. Ata kanë nevojë për mundësi që të identifikojnë problemet, të zhvillojnë ide, të punojnë me institucionet, të avokojnë për ndryshim dhe t’i shohin idetë e tyre të realizueshme të shndërrohen në veprime konkrete. YEGE e çon përpara këtë përvojë”, ka thënë Astrid Wein, drejtore e Caritas Switzerland në Kosovë.
Projekti do të mbështesë gjithashtu pjesëmarrjen e nxënësve në proceset e konsultimit dhe planifikimit komunal për klimën dhe energjinë, përfshirë Planet Komunale të Veprimit për Energji dhe Klimë.
Në kuadër të projektit parashihet edhe ngritja e kapaciteteve për mësimdhënës të biologjisë dhe fizikës, zyrtarë të nivelit lokal e qendror dhe gazetarë të rinj që mbulojnë çështjet mjedisore.
“Ambicia jonë është që edukimi klimatik të bëhet pjesë domethënëse e të nxënit për nxënësit në mbarë Kosovën, i qasshëm për të gjithë, i lidhur me jetën e tyre dhe me aftësitë e mundësitë që ofron tranzicioni energjetik”, ka deklaruar Shkumbin Kelmendi, këshilltar klimatik në projektin IKI të GIZ Kosova. /Telegrafi/