Kalo te lajmet
e premte, 30 tetor 2026 Drenas, Kosovë ☁ 8° ⌕ Kërko Rreth nesh Kontakt Reklamo Dërgo një lajm Na ndiqni: Facebook YouTube
⌕ Dërgo një lajm
Lajmi i fundit 23:26

Ballina › Lajme

Drenasi humbi mbi 10 mijë banorë për 13 vjet, vetëm tri fshatra shënuan rritje të popullsisë (Video)

30 tetor 2026, 18:28

Drenasi humbi mbi 10 mijë banorë për 13 vjet, vetëm tri fshatra shënuan rritje të popullsisë (Video)

Komuna e Drenasit ka shënuar rënie të konsiderueshme të numrit të banorëve gjatë periudhës 2011–2024, duke humbur gjithsej 10.452 banorë, apo 17.9 për qind të popullsisë.

Këto të dhëna janë paraqitur përmes një harte të detajuar nga specialisti i Sistemeve të Informacionit Gjeografik (GIS), Besart Bajrami, i cili ka analizuar ndryshimet demografike në zonat kadastrale të Komunës së Drenasit ndër vite.

Sipas të dhënave të prezantuara, në vitin 1961 Drenasi kishte 21.125 banorë, ndërsa në vitin 1971 ky numër arriti në 28.188. Rritja vazhdoi edhe në dekadat pasuese, duke arritur në 39.141 banorë në vitin 1981 dhe 53.618 në vitin 1991.

Në vitin 2011, Komuna e Drenasit numëronte 58.531 banorë, ndërsa regjistrimi i vitit 2024 evidentoi vetëm 48.079 banorë.

Vetëm tri vendbanime me rritje të popullsisë

Nga të gjitha zonat kadastrale të analizuara, vetëm tri kanë shënuar rritje të numrit të banorëve gjatë periudhës 2011–2024.

Drenasi (Gllogoci) ka shënuar rritjen më të madhe, prej 15.3 për qind, duke kaluar nga 6.143 në 7.081 banorë.

Pas tij renditet Shtrubullova, me rritje prej 8.3 për qind, nga 1.102 në 1.193 banorë, ndërsa Korrotica e Ulët ka shënuar rritje prej 1.9 për qind, nga 972 në 990 banorë.

Këto janë fshatrat që humbën më së shumti banorë

Rënia më e madhe në përqindje është regjistruar në Gradicë, ku popullsia është zvogëluar për 61.2 për qind, nga 842 banorë në vitin 2011 në vetëm 327 në vitin 2024.

Pas Gradicës renditen Likoshani me rënie prej 44.7 për qind, Abria e Epërme me 42.2 për qind, Godanci me 41.3 për qind dhe Tërdeci me 39.5 për qind.

Rënie të ndjeshme kanë shënuar edhe vendbanime të tjera, përfshirë Negrocin, Vuqakun, Verbocin, Polluzhën, Komoranin dhe Arllatin.

Të dhënat e prezantuara nga Besart Bajrami pasqyrojnë ndryshimet demografike në Komunën e Drenasit gjatë më shumë se gjashtë dekadave, duke treguar se pas një periudhe të gjatë të rritjes së popullsisë, vitet e fundit karakterizohen nga një rënie e konsiderueshme e numrit të banorëve.

Analiza ilustron gjithashtu dallimet ndërmjet vendbanimeve, ku qendra e Drenasit dhe dy zona të tjera kanë shënuar rritje, ndërsa pjesa dërrmuese e fshatrave kanë humbur banorë.

Kjo dukuri nuk është karakteristike vetëm për Komunën e Drenasit, por është pjesë e një trendi më të gjerë demografik, ku popullsia po zhvendoset nga zonat rurale drejt qendrave më të mëdha urbane, kryesisht për shkak të mundësive më të mira për punësim, arsimim dhe kushte jetese.

Për më shumë video bëjeni follow faqen KËTU /DrenicaOnline/

Ndaje këtë lajm Facebook Viber

Lajme të tjera

↑