Përkujtohen të rënët e 30 prillit të vitit 99 në krye me heroin Ilaz Kodra

Më rastin e 22 vjetorit të rënies së heroit të kombit Ilaz Kodra, 40 dëshmorëve dhe mbi 275 martirëve, kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci së bashku me Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, kryetarin e Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, stafi i dy komunave, shoqata të dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, familjar të të rënëve e shumë qytetarë, kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur buqeta me lule të freskëta pranë varrezave e të Dëshmorëve e martirëve në Morinë, Vërboc e Shtuticë.

Fillimisht, homazhet janë bërë në Kompleksin e Dëshmorëve ne Marinë, pastaj kanë vazhduar në varrezat e fshatit Vërboc e Shtuticë si dhe pranë lapidarit me emra të të gjithë dëshmorëve e martirëve të rënë në këtë ditë.

Me këtë rast, kryetari Lladrovci theksoj se në këtë ditë të përkujtimit, të dhimbjes e krenarisë, kujtojmë me nderim të thellë, heroin Ilaz Kodra, 40 dëshmorët dhe mbi 275 martirët e kombit nga Vërboci, Shtutica dhe fshatrat përreth.

“Sot, si çdo ditë në liri, kujtojmë sakrificën e jashtëzakonshme të popullit tonë ndër shekuj, kujtojmë heronjtë, dëshmorët dhe martirët e lirisë, mbi 400 masakrat e kryera nga ushtria serbe, kujtojmë gjenocidin e ushtruar kundër popullit tonë, dhunën dhe tmerrin që kemi përjetuar. Sot, këtu me Presidenten Osmani dhe Kryetarin Jashari, kujtojmë Vërbocin e Shtuticën, dy nga 400 vendet ku u krye gjenocid nga forcat serbe. Për fat të keq, drejtësia ende nuk ka vepruar kundër planifikuesve dhe ekzekutuesve të këtyre masakrave. Ne, që kemi marrë përgjegjësi para qytetarëve, po realizojmë ëndrrën e atyre që dhanë jetën për lirinë e vendit, për shtet ku sundon ligji dhe barazia para ligjit, mirëqenia dhe siguria për të gjithë qytetarët pa dallim! Ne kurrë nuk do të harrojmë përkushtimin e popullit tonë për liri, heronjtë, dëshmorët dhe martirët e lirisë! Andaj sot e çdo ditë, ndjejmë përgjegjësi duke kryer detyrimet tona ligjore, punët e mira për qytetarët dhe shtetin tonë!”, ka thënë kryetari Lladrovci gjatë homazheve të bëra.

SHPËRNDAJE