“Eko Drenasi” drejt funksionalizimit të plotë, diskutohet për zgjedhjen e Kryeshefit Ekzekutiv
Komisioni Komunal i Aksionarëve të NPL “Eko Drenasi” ka zhvilluar takim me drejtorët e Bordit të Përkohshëm, në kuadër të hapave që po ndërmerren për funksionalizimin e plotë të ndërmarrjes.
Në takim morën pjesë anëtarët e Komisionit, Laureta Thaqi nga Ekzekutivi, si dhe Driton Ajazi e Naim Gjeli nga Kuvendi i Komunës. Nga Bordi i Përkohshëm morën pjesë Arsim Rashiti, Blerina Gashi, Petrit Muleta dhe Valentina Leku-Gashi.
Gjatë takimit është diskutuar për proceset që janë aktualisht në zhvillim, përfshirë procedurën për shpalljen dhe përzgjedhjen e Kryeshefit Ekzekutiv, regjistrimin e ndërmarrjes dhe hapat e tjerë që duhet të përfundohen para funksionalizimit të plotë të saj.
Sipas njoftimit, funksionalizimi sa më i shpejtë i “Eko Drenasi” konsiderohet i rëndësishëm për qytetarët e Drenasit, veçanërisht për shkak të gjendjes aktuale në menaxhimin e mbeturinave.
Veprimtaria e ndërmarrjes do të përfshijë menaxhimin dhe mirëmbajtjen e hapësirave publike, përfshirë menaxhimin e mbeturinave të egra, me synim përmirësimin e shërbimeve dhe krijimin e një ambienti më të pastër.
Komisioni Komunal i Aksionarëve dhe Bordi i Përkohshëm kanë bërë të ditur se do të vazhdojnë koordinimin institucional për përfundimin e procedurave, në mënyrë që NPL “Eko Drenasi” të nisë sa më shpejt funksionimin e plotë dhe ofrimin e shërbimeve për qytetarët. /DrenicaOnline/