Gjesti i veçantë i dy prindërve nga Drenasi, kontribuojnë për përmirësimin e kushteve në shkollë
Një gjest për t’u vlerësuar është bërë nga dy prindër në Korroticë të Poshtme të Drenasit, të cilët kanë kontribuar në përmirësimin e kushteve në SHFMU “Arif Shala”.
Prindërit Alban Brahimi dhe Fitim Ramadani, së bashku me fabrikën e ngjyrave “Gemix”, kanë mundësuar realizimin e punimeve për ngjyrosjen e hapësirave të brendshme të objektit shkollor.
Falë kontributit të tyre, ambientet e shkollës janë bërë më të pastra, më të bukura dhe më të përshtatshme për nxënësit dhe stafin.
Përmes një njoftimi publik, drejtuesit e shkollës kanë shprehur mirënjohje të veçantë për këtë iniciativë, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet prindërve, komunitetit dhe institucioneve arsimore.
Në shenjë falënderimi, shkolla u ka ndarë mirënjohje kontribuuesve për mbështetjen dhe bujarinë e treguar.
Ky gjest është vlerësuar si shembull pozitiv i solidaritetit dhe përkushtimit të komunitetit për krijimin e kushteve sa më të mira për nxënësit. /DrenicaOnline/