Protestë para Ministrisë së Mjedisit, kërkohet të ndalet ndotja e ujit, ajrit dhe tokës nga “Ferronikeli”

Disa qytetarë të Drenicës sot kanë protestuat para Ministrisë së Mjedisit në Prishtinë për të shprehur pakënaqësitë e tyre për gjendjen mjedisore në komunën e Drenasit, sidomos për fshatrat përreth fabrikës së “Ferronikelit” në Çikatovë të vjetër.

Organizatori i kësaj proteste, Xhavit Drenori ka kërkuar urgjentisht nga kjo ministri që të ngrihet një komision për ta ndaluar punën e kësaj fabrike, që sipas tij, po helmon banorët e Drenicës.

Drenori tha se është alarmi i fundit për Qeverinë, përkatësisht për Ministrinë e Mjedisit, që të veprojnë urgjent për ndalimin e ndotjes së ajrit, tokës dhe ujit në Drenas nga fabrika “Ferronikel”.

“Jemi sot këtu për të shprehur pakënaqësitë tona, respektivisht për të ngritur alarmin për Ministrinë e Mjedisit e cila me ligjet e aplikueshme të Republikës së Kosovës është e obliguar që të monitorojë mjedisin, respektivisht, të ruajë dhe të mbrojë mjedisin. Në fakt ligjet të cilat janë të aplikueshme në Republikën e Kosovës kanë bërë që operatorë të ndryshëm që prodhojnë siç është ‘Ferronikeli’ të pajiset me lejet mjedisore të integruar. Këtë leje e ka marrë në vitin 2018 dhe prej atëherë kjo leje nuk po respektohet, sa do që ka pasur në mënyrë të vazhdueshme kërkesa nga banorët dhe protesta para deponisë, ministria asnjëherë nuk e ka marrë seriozisht dhe sot jemi në një gjendje kur uji, ajri dhe toka po iu ndoten në mënyrë të pakontrolluar nga fabrika e ‘Ferronikelit’, sidomos në tri fshatra përreth deponisë së re në Çikatovë të vjetër”, theksoi Drenori.

Protestuesit në këtë protestë kishin sjellë me vete para qeverisë edhe mbetje të metaleve që shkaktohen nga fabrika, e të cilët theksuan kjo është problemi më i madh për ndotje të mjedisit.

“Problemi më i madh për momentin që po bëhet është që skoria të cilën e kam sjellë sot me vete, është produkt i cili është mbetje e metalit. Ky është i rrezikshëm, jetëgjatësia e tij është mbi 100 vjet sipas ekspertëve. Ky produkt po hidhet në burim të ujit. Hedhja e tij në burim të ujit, do të thotë helmim i ujit, kontaminim i ujit që shkon në puset e banorëve të tri fshatrave. Ministria e Mjedisit i ka lëshuar një leje dhe në atë leje mjedisore në mënyrë eksplicite shkruhet që duhet të izolohet kjo skorie gjatë deponimit dhe nuk guxon të vijë në kontakt me ujin. Ndërsa, mund të shikoni se si është gjendja momentale. Sipas mendimit tonë këtu ka gisht politika, sepse shumë kontrata të mëdha në ‘Ferronikel’ kanë marrë politikanë të ndryshëm”, tha ai.

Edhe pse theksuan se nuk janë kundër fabrikës, organizatori i kësaj proteste tha se nëse qeveria nuk merr masa, banorët në atë pjesë i kanë vetëm dy mundësi, të protestojnë ose të braktisin shtëpitë e tyre.

“Ne i bëjmë thirrje nga këtu ministrit aktual të Mjedisit që urgjentisht të ngritë një komision, ta ndalojë paraprakisht punën e operatorit, i cili do të rrezikojë edhe gjeneratat që vijnë pas neve. Që të jemi të qartë, ne nuk jemi kundër fabrikës së Ferronikelit, ne nuk jemi kundër menaxhmentit atje, kemi familjarë që punojnë aty. Megjithatë, ne jemi që kjo fabrikë të operojë sipas ligjeve. Nëse qeveria brenda një kohe të shkurtër nuk e merr parasysh këtë situatë, ne si banorë i kemi dy zgjidhje, o të dalim me familjarë përpara mjeteve të transportit që ta ndalojmë vet me protestë atje, ose ta lëshojmë vendin”, u shpreh ai.

Banorët nga Drenica që morën pjesë në protestë dhe u shpërndan të qetë, pasqyruan gjendjen e mjedisit edhe përmes pankartave, që në disa prej tyre shkruhej: “Në Drenas bartja e maskës është e domosdoshme edhe kur nuk ka pandemi” dhe “Drenasi është numër 1 me mjedis të kontaminuar”.

SHPËRNDAJE