Kalo te lajmet
e shtunë, 26 shtator 2026 Drenas, Kosovë ☁ 13° ⌕ Kërko Shpalljet Galeria Kontakt Na ndiqni: Facebook YouTube
Drenasi Njerëz · Histori · Zhvillim
Lajmi i fundit 11:41

Ballina › Lajme

Beteja “Te Lisat Gjashtnjakë” dhe masakra në Likoshan e Qirez

28 shkurt 2023, 16:26 Likoshan, Qirez, UÇK, Adem Jashari, 28 shkurt 1998

Beteja “Te Lisat Gjashtnjakë” dhe masakra në Likoshan e Qirez

Më 28 shkurt 1998, mes Qirezit e Likoshanit, u zhvillua pritja te “Lisat Gjashtnjakë”. Në hakmarrje, forcat serbe masakruan njëzet civilë në shtëpitë e tyre.

Më 28 shkurt të vitit 1998, luftëtarët e komandantit Adem Jashari u zunë pritë forcave policore serbe në vendin e quajtur “Te Lisat Gjashtnjakë”, mes Qirezit e Likoshanit. Gjatë luftimeve u vranë pesë policë serbë dhe ranë dëshmorë katër luftëtarë të UÇK-së, ndërsa tre të tjerë u plagosën.

Në hakmarrje për humbjet, policia serbe me qindra forca, madje edhe me helikopterë, ndërmori një aksion kundër popullatës civile, me ç'rast vrau e masakroi dhjetë pjesëtarë të familjes Ahmeti dhe dhjetë nga disa familje të tjera. Civilët shqiptarë janë vrarë e masakruar në shtëpitë e tyre. Ata kanë qenë prej 16 deri në 70 vjeç.

Policët janë futur në familjen 36-anëtarëshe Ahmetaj në Likoshan, ku i kanë detyruar të gjithë — burra, gra e fëmijë — të shtrihen përtokë, i kanë ndarë meshkujt, i kanë nxjerrë jashtë dyerve të oborrit, i kanë rrahur dhe i kanë masakruar një nga një në mënyrën më barbare, aq sa vështirë është bërë identifikimi i tyre.

Lufta e zhvilluar atë ditë reflektoi thellë në vetëdijen e popullatës së robëruar shqiptare të Kosovës, me bindjen se lufta për çlirimin e vendit do të ishte e përgjakshme dhe do të kërkonte shumë sakrifica e martirizime.

Kjo betejë i kishte paraprirë Epopesë së lavdishme të UÇK-së të 5, 6 dhe 7 marsit të vitit 1998, kur ra heroikisht Komandanti Legjendar Adem Jashari bashkë me 46 anëtarë të familjes Jashari të Prekazit të Ulët të Drenicës.

Atë ditë kanë rënë dhe janë martirizuar: Rexhep Rexhepi (63), Beqir Rexhepi (30), Beqir Sejdiu (26), Ilir Nebihu (30), Rukie Nebihu (27), Xhemshir Nebihu (33), Nazmi Sejdiu (24), Bedri Sejdiu (24), Bekim Sejdiu (23), Ibish Rama (38), Ismail Behrami (30) — Baks, Behram Fazliu (50) — Gradicë.

Nga familja Ahmeti janë martirizuar: Ahmet Ahmeti (50), Gani Ahmeti (46), Hilmi Ahmeti (44), Hamzë Ahmeti (44), Driton Ahmeti (23), Naim Ahmeti (22), Lumni Ahmeti (19), Shemsi Ahmeti (18), Basri Ahmeti (18), Elhami Ahmeti (16), Muhamet Gjeli (70) dhe Naser Gjeli (38).

Ndaje këtë lajm Facebook Viber

Lajme të tjera

↑