Sqarim lidhur me pronat e eksproprijuara në Çikatovë të Vjetër

Njoftim i Komunës së Drenasit:

Njoftojmë të gjithë qytetarët se Komuna e Drenasit edhe pse nuk ka qenë dhe nuk është pjesë e privatizimeve dhe nuk ka asnjë kompetencë në zgjidhjen e kësaj çështjeje, ka ndërmarrë veprime konkrete duke pasur parasysh që shqetësimet e qytetarëve janë edhe shqetësime të komunës tonë.

Mirëpo, për t’ju shmangur keqinformimit që persona të ndryshëm, siç janë: deputetë të Kuvendit të Kosovës, zv. Ministra e aktivistë partiakë që po tentojnë të bëjnë lajme në opinion, po ju sqarojmë se pronat e banorëve të fshatit Çikatovë e Vjetër, të eksproprijuara gjatë viteve ’80-të dhe ’90-të, kanë kaluar në emër të Feronikelit, duke u bazuar në vendime të eksproprijimit.

Për këtë çështje, kryetari Lladrovci, ka zhvilluar disa takime me përfaqësuesit e Agjencisë së Kosovës për Privatizim ku ka përcjellë shqetësimin e banorëve lidhur me kompensimin e pronave të tyre dhe ka kërkuar nga ana e tyre që në përputhje me legjislacionin në fuqi, t’u ofrojë zgjidhje meritore banorëve të asaj zone.

Si rezultat i këtyre takimeve ka bërë kërkesë zyrtare në AKP ku ka marrë edhe përgjigje nga ana e AKP-së.

Lidhur me shkresën e AKP-së, sipas kërkesës së Komunës, janë njoftuar: Banorët e Çikatovës së Vjetër, Gjykata Themelore në Prishtinë – dega në Drenas, Stacioni Policor – Drenas, si dhe Kompania e Feronikelit. Pra, Komuna i ka shfrytëzuar të gjitha mundësitë që ka në bazë të kompetencave.

Komuna e Drenasit, shqetësimet e banorëve i ka trajtuar me prioritet dhe gjatë gjithë kohës ka qenë transparente në ofrimin e dokumentacionit për palët.

Komuna është e përkushtuar të vazhdojë në ofrimin e të dhënave në bazë të kompetencave që ka dhe të ndihmojë në zgjidhjen e kësaj çështjeje, pasi që dihet publikisht dhe ligjërisht se kontestet janë në mes të banorëve dhe AKP-së.

Komuna e Drenasit, sugjeron të gjithë qytetarët të cilët pretendojnë se nuk i është kompensuar prona, të mos bien pre e manipulimeve, por shqetësimet e tyre t’i adresojnë të organet kompetente, respektivisht në gjykatat kompetente, kur kihet parasysh se kjo është rruga e zgjidhjes së çështjeve të kësaj natyre.

Për hir të transparencës, këtij sqarimi ia bashkëngjisim komunikimet zyrtare mes kryetarit Lladrovci dhe AKP-së.

SHPËRNDAJE