Drenasi shënon 13 vjetorin e Pavarësisë me homazhe e seancë solemne të Kuvendit

Drenasi shënon 13 vjetorin e Pavarësisë me homazhe e seancë solemne të Kuvendit

Për nder të 13 vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, me kabinetin e tij, drejtor të drejtorive komunale, anëtarë të Kuvendit të Komunës dhe qytetarë, kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur buqeta me lule të freskëta në varrezat e dëshmorëve në Komunën e Drenasit.

Në orët e hershme të mëngjesit, kryetari Lladrovci me bashkëpunëtor, kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur buqeta me lule të freskëta në sheshin “Fehmi Lladrovci”, pranë shtatorës së Fehmi e Xhevë Lladrovci, Shaban, Hamëz e Adem Jashari, Bedri Shala, Rasim Kiçina e Ilaz Kodra dhe homazhet kanë vazhduar për nderim në Kompleksin Memorial të Jasharajve në Prekaz, në Kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve në Marinë, në varrezat e dëshmorëve në Gllanasellë, Likoshan, Çikatovë e Vjetër, Baixë, Abri, Tërdec, Gllobar, Tërstenik, Vërboc, Shtuticë, Negroc, Krajkovë, Damanek, Shtrubullovë, Poklek i Ri dhe i Vjetër dhe në Nekoc.

Pas homazheve, është mbajtur edhe Seanca Solemne e Kuvendit të Komunës e udhëhequr nga kryesuesi i Kuvendit të Komunës, Labinot Halilaj i cili tha se për dallim nga festat tjera, ky 13 vjetor vendin e gjënë pa themeluesit e shtet ndërtimit, të cilët padrejtësisht po mbahen në dhomat e specializuara të Hagës.

Ndërsa, para të pranishmëve ne këtë Seancë Solemne, kryetari Lladrovci mbajti këtë fjalë rasti;

Të nderuar asamblistë të Komunës së Drenasit, I nderuari Kryetar Halilaj, Të nderuara familje të dëshmorëve, invalidë e veteranë të UÇK-së, Mysafirë të nderuar, Zonja e zotërinj,

Qytetarë, gëzuar Pavarësia e Republikës së Kosovës!

Sot, në këtë seancë solemne, me rastin e shënimit të 13 Vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, për herë të parë po e shënojmë pa praninë fizike të kontribuuesve më të mëdhenj të shpalljes së pavarësisë së shtetit tonë, Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, pa Calin, Nasimin dhe Hysniun. Kjo ditë, na bën ta ritheksojmë se historia nuk rishkruhet, ajo mbetet trashëgimia më e çmuar për brezat.

Sot, në këtë mbledhje solemne, kujtojmë me nderim të thellë, Bacën Shaban, Hamzën e Komandantin legjendar, Adem Jasharin. Kjo ditë e shënuar, më e ndritshmja pas Pavarësisë së Shqipërisë, është ditë që kujtojmë me nderim të thellë, edhe gjeneratat e tëra të atdhetarëve, në të gjitha trojet etnike që punuan, luftuan dhe flijuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Është kjo ditë, të kujtojmë si çdo ditë, të gjitha bijat dhe bijtë më të çmuar të kombit që ranë në altarin e lirisë, nën emblemën e shenjtë të UÇK-së dhe sakrificën shekullore të kombit tonë për çlirim.

Në këtë përvjetor të Pavarësisë, kujtojmë kontributin e shteteve mike, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e saj, duke e rikonfirmuar se rruga jonë euro-atlantike është e pandalshme dhe e vetme.

Po ashtu i përkulemi çdo kontribuuesi për lirinë e pavarësinë e Kosovës, me zotimin se rruga jonë nuk do të ndalet deri në jetësimin e amanetit të më të dashurve tanë që sakrifikuan për ne, për shtet të lirë e të zhvilluar, shtet ligjor e të mirëqenies, shtet të dijes e barazisë.

Asambleistë të komunës së Drenasit, juve dhe të gjithë qytetarët e komunës së Drenasit, ua uroj 13 vjetorin e Shpalljes të Pavarësisë së Republikës së Kosovës!

I përjetshëm qoftë kujtimi për heronjtë, dëshmorët dhe martirët e lirisë tonë!

Lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!

SHPËRNDAJE