Zjarrfikësit edukojnë nxënësit për parandalimin e zjarreve

Në kuadër të Javës së AME-së, në dhjetë shkolla të komunës është zhvilluar një fushatë vetëdijësuese me qëllim parandalimin e zjarreve, në organizim të Njësisë Profesionale të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit (NJPZSH-së).

Udhëheqësi i Njësisë Profesionale të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit, Afrim Gjeli dhe stafi i tij mbajtën ligjërata informuese dhe praktike me nxënësit e shkollave, u prezantuan tema të rëndësishme vetëdijësuese për rrezikun nga zjarri, masat mbrojtëse të zjarreve në shkolla, shtëpi banimi dhe hapësira të hapura, veprimet në rast zjarri, evakuimi emergjent, pajisjet për shuarjen e zjarreve fillestare dhe mënyrat e parandalimit të tyre.

Ligjëratat u shoqëruan me shembuj konkret dhe demonstrime të drejtpërdrejta, duke nxitur përfshirjen aktive të nxënësve dhe rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e sigurisë nga zjarret.

Drejtoria për Shërbime Publike dhe Emergjencë, falënderon NjPZSh-në për përkushtimin dhe profesionalizmin e treguar në këtë mision kaq të rëndësishëm për sigurinë tonë të përbashkët, Drejtorinë Komunale të Arsimit dhe drejtorët e shkollave në Komunën tonë që mundësuan dhe përkrahen realizimin e aktiviteteve të vetëdijësimit publik të nxënësve.

SHPËRNDAJE