Kryetari i Komunës së Drenasit Ramiz Lladrovci, së bashku me nënkryetarin e kësaj komune, Arben Shala, drejtoreshën e Planifikimit Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit, Flutura Avdiu, drejtoreshën e kompanisë hartuese “Plan-A Consulting”, Sadije Deliu, ka bërë hapjen zyrtare të shqyrtimit publik të “Projekt dokumentit- Harta Zonale e Komunës së Gllogocit 2021-2029”.
Qëllimi i këtij prezantimi ishte që të zhvillohen konsultime dhe që të inkurajohet pjesëmarrja transparente e publikut në hartimin e këtij dokumenti të planifikimit hapësinor që përmes grafikoneve, hartave dhe tekstit përcakton hollësisht llojin, destinimin, shfrytëzimin e planifikuar të hapësirës dhe masat e veprimit të cilat bazohen në kohëzgjatje dhe projeksione të arritshme të investimeve publike dhe private për tërë territorin e Kosovës, për një periudhë së paku (8-vjeçare).
Kryetari Lladrovci është shprehur se është i lumtur që gjatë qeverisjes së tij ka arritur të finalizojë dhe të miratojë dy dokumentet me të rëndësishme të planifikimit hapësinor siç janë Plani zhvillimor i Komunës së Gllogocit 2020-2028 dhe Harta Zonale e Komunës së Gllogocit 2021-2029, ashtu siç përcaktohet në Ligjin Nr.04/L-174 për planifikimin hapësinor.
Me këtë rast, Lladrovci ka falënderuar kontribuuesit e hartimit të Hartës Zonale të Komunës së Drenasit, ekipin komunal të planifikimit, kompaninë e GIZ-it gjerman për mbështetje teknike, kompaninë hartuese “Plan-A Consulting”, Ministrinë e Mjedisit Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, për dhënien e kontributit të jashtëzakonshëm gjatë gjithë këtij procesi.
Gjatë periudhës së shqyrtimit publik qytetarët e Komunës së Drenasit do të kenë mundësi që të japin vërejtjet, komentet dhe sugjerimet, të cilat pastaj do të inkorporohen në dokumentin e Hartës Zonale të Komunës për periudhën kohore 2021-2029. Shqyrtimi publik do të zgjatë 30 ditë që nga dita e hapjes.
SHPËRNDAJE