Përurohet shtatorja e heroit Asllan Fazliu

Në kuadër shënimit të ditës së çlirimit të Drenasit, nën patronatin e kryetarit të Komunës, Ramiz Lladrovci, u bë sot përurimi i shtatores së heroit të kombit Asllan Fazliu – komandant Luani, në sheshin “Fehmi dhe Xhevë Lladrovci”.

Ceremonia  mblodhin përfaqësues të familjeve të dëshmorëve, qytetarë, përfaqësues të institucioneve dhe veteran të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët nderuan figurën e njërit prej bijve të shquar të lirisë.

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, tha se përurimi i shtatores së heroit Asllan Fazliu është një akt përjetësimi i sakrificës dhe qëndresës së tij:

“Sot po fillon një kapitull i ri për heroin Asllan Fazliu – komandant Luanin. Nga sot, ai do të jetë banor i përhershëm i Drenasit, i përjetësuar në bronz. Kjo shtatore është dëshmi e qëndresës së tij, që do të shërbejë si shembull për gjeneratat e ardhshme,” theksoi ai.

Në fjalën e tij, ish-komandanti i UÇK-së, gjeneral Sami Lushtaku, shprehu mirënjohje për kontributin e heroit dhe të familjeve që sakrifikuan për lirinë e Kosovës:

“Jam krenar për këtë shtatore sepse Kosova ka pasur burra dhe familje që kanë dhënë shumë për kombin. Dëshmorët dhe lapidarët do të jenë gjithmonë dëshmi për të ardhmen,” tha ai.

Vajza e heroit, Bjondina Asllani, falënderoi të gjithë pjesëmarrësit dhe theksoi rëndësinë e përjetësimit të kujtimit të babait të saj.

“Shtatorja e tij është dëshmi se liria është e shtrenjtë. Në emër të familjes, falënderoj për pjesëmarrjen. Drenasi sot feston guximin dhe trimërinë. Kujtojmë të gjithë ata që sakrifikuan, mes tyre edhe babai ynë. Ai është gdhendur në bronz dhe përjetësuar përgjithmonë. Sot, kjo ditë është e mangët pa bashkëluftëtarët e tij që padrejtësisht mbahen në Hagë,” shtoi ajo.

Kryetari i Shoqatës së Familjarve të Dëshmorëve, Xhavit Jashari, theksoi se historia e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është e pamohueshme.

“Është e vështirë të flitet për qëndresën, luftën dhe rënien e heroit Asllan Fazliu. Nga sot ai qëndron krah për krah me komandantin Jashari, Fehmi Lladrovcin dhe shumë të tjerë që shkruan historinë. Sakrifica dhe lufta për liri u bë nga UÇK-ja. Lavdia nuk mund të mohohet, sepse ajo është sjellë nga bijtë dhe bijat më të mira të kombit.”

Intelektuali dhe publicisti i njohur shqiptar, Aleksandër Çipa, theksoi rëndësinë e kujtesës historike.

“Një shtet që kujdeset për ngritjen e shtatoreve, po investon në mënyrë të drejtpërdrejtë në kujtesën historike dhe shoqërore. Kjo është një formë e domosdoshme e ruajtjes së identitetit.”

asllan fazlia
asllan fazlia

Shtatorja e heroit Asllan Fazliu është vendosur në sheshin qendror të Drenasit, pranë shtatoreve të tjera të figurave kombëtare, si një simbol përjetësimi dhe nderimi për ata që dhanë gjithçka për lirinë e Kosovës.

SHPËRNDAJE