Njihuni me 21 vjeçaren nga Drenasi, sipërmarrëse e re në rrobaqepësi

Është vetëm 21 vjeçare, mirëpo pak ditë më parë ka nisur punën në biznesin e saj të rrobaqepësisë, duke iu shtuar tregut të punës si një grua sipërmarrëse ambicioze dhe me vullnet për punë.

Albionë Morina nga Drenasi, është në përfundim të studimeve për dizajn të modës, profesionin që ajo gjithnjë e kishte ëndërruar ta bënte realitet një ditë.

Në fund të vitit të kaluar, Albiona kishte vendosur të aplikonte për Programin e Vetëpunësimit, të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS)-Agjencisë së Punësimit të Republikës së Kosovës (APRK), në bashkëpunim me Programin për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP) në Kosovë. Duke arritur të jetë njëra ndër përfitueset, pak ditë më parë ajo ka pranuar pajisjet e nevojshme për të nisur punën në biznesin e saj.

“Jam shumë e pasionuar pas dizajnit të modës dhe jam e lumtur që më në fund, gjithë ato skica që i kam realizuar kohë pas kohe, të filloj ti qepë dhe ti vë në dispozicion për të gjithë dashamirët e punës sime”, thotë Albiona.

Albiona është e vetmja që rishtazi është angazhuar në punë nga familja e saj 4 anëtaresh. Në vitin 2016, kur Albiona kishte qenë vetëm 17 vjeçare, së bashku me familjen e saj kishte migruar në Gjermani për një jetë më të mirë, ndërkaq ishte riatdhesuar në Kosovë vetëm 4 muaj më pas.

Pas kthimit në Kosovë familja e saj ishte përballur me vështirësi sa i përket ri-integrimit në tregun e punës. Tani që ka hapur biznesin e saj, Albiona thotë së përveç realizimit të ëndrrës së saj profesionale, ajo po ndihmon edhe familjen në sigurimin e të ardhurave të nevojshme.DrenicaOnline.com

SHPËRNDAJE