Qamil Muqolli përderisa ishte në vendin e tij të punës, me 3 mars 2020, i kishte ardhur një thirrje telefonike “nga lart”. Atij i kishin thënë të shkoi në zyrat e menaxhmentit të aeroportit “Adem Jashari” se kishte për të nënshkruar diçka. Ai ishte shtangur kur përpara ja kishin prezantuar një letër ku e informonin për ndërprerjen e marrëdhënies së punës si punëtor i aeroportit, punë të cilën Qamili e kishte bërë për 21 vite me radhë me përkushtim dhe devotshmëri. Qamil Muqolli është në mesin e 60 punëtorëve të larguar nga puna në Aeroportin e Prishtinës që nga greva e punëtorëve të aeroportit që ishte mbajtur në gushtin e vitit 2019. Bashkë me të është suspenduar edhe kryetari i sindikatës së punëtorëve të aeroportit, Bashkim Latifi. Këtij të fundit i është mbyllur madje edhe zyra e sindikatës brenda aeroportit.
“Pa kurrfarë informimi, vetëm më kanë thirr në telefon, unë kam qenë në orar të punës “hajde nalt se ki me nënshkru diçka dhe kur kam shku atje ma kanë dhanë informacionin që nuk të vazhdohet ty kontrata. Nuk më kanë dhanë arsyeje kurgja, absolutisht kurrfarë arsyeje por ajo mundet me qenë veç pse jam anëtar i sindikatës sikur 500 punëtorë tjerë që janë kanë absolutisht diçka tjetër jo, jam pjesëmarrës në grevë kur ka qenë ajo greva 3 ditore jam kanë edhe unë, 21 vjet në punë as gabimin më të vogël, as një vërejtje më të vogël, asnjë mungesë të vetme njëherë një ditë nuk kam mungu për 21 vjet. Pra 21 vjet në aeroport nuk e kam asnjë ditë pushim mjekësor që më takon por nuk kam pas nevojë dhe nuk e kam marrë. Nuk di çfarë gabimi kam ba, ata nuk kanë pas kurrfarë arsyeje megjithëse i kom pyet kur e kam marrë njoftimin pse po me qitni prej punës kështu thanë ka vendos menaxhmenti i aeroportit dhe kurrfarë përgjigje tjetër. Po nuk jam unë vet, po atë ditë neve na kanë qit 28 vetë”, rrëfen për IndeksOnline, Qamili.
Qamili tregon se kohëve të fundit raportet punëtor-menaxhment janë përkeqësuar jashtëzakonisht shumë sidomos pas ardhjes së menaxhmentit të ri. Ai thotë se brenda aeroportit është instaluar një diktaturë e rreptë dhe shkelen të drejtat e punëtorëve, prandaj dhe kanë dalë në protesta.
“Atë ditë që jemi dal në grevë, nuk jena dal për me lyp rritje të rrogës, unë jam dal me i lyp të drejtat e mija, veç ato që më takojnë dhe kërkesat tona janë kanë botërisht të ditura sepse aty ka pas media dhe ne i kemi pasur letrat në dorë dhe e kanë dit se çka po dojna. Kur ta përmendsh aeroportin njerzit mendojnë se po punon në aeroport dhe se është punë e mirë, por jo le t’na vet neve le t’i vet punëtorët e aeroportit sepse ti si udhëtar e sheh se ka pastërti ka rregull dhe duket gjithçka mirë por qysh i majn ata punëtor muj me than se as në Kore të Veriut nuk ka diktaturë qysh ka brenda në aeroport, po nisna unë prej vetit. Unë qysh kur kom shku në punë, kur kom zbrit prej veturës më kanë respektu të gjithë, kërkujna s’kom mujt me i fol përpara jo veç punëtorë por edhe drejtorët ma herët që janë kanë që më kanë njoft.
Aty është një diktaturë brenda edhe për qatë respekt që e kanë pas punëtorët ndaj meje kur e kanë pa që unë kam dal në grevë kanë thanë Qamili po del në grevë pse mos me dal edhe na me i lyp të drejtat tona sepse qe 5 vjet mu ma kanë zvogëlu rrogën pa vendim pa kurgja dhe ato pare dikush i ka marrë dhe na kena dal m’i kërku paret tona, të drejtat tona”.
Pas largimit nga puna, punëtorët kanë bërë ankesë në Inspektoratin e Punës dhe ata kanë fituar të drejtën e kthimit në punë me vendim të 2 shkallëve të inspektoratit. Mirëpo këto vendime nuk janë marrë parasysh nga menaxhmenti i aeroportit. Punëtorët e larguar tashmë u janë drejtuar gjykatës ku edhe gjykata ka filluar të nxjerr vendime në favor të tyre. Qamili thotë se pas largimit nga puna për të kanë intervenuar edhe instancat më të larta të shtetit mirëpo ai nuk ka pranuar të kthehet i vetëm në punë pasi që ai thotë se bashkë me të duhet të kthehen të gjithë punëtorët e larguar padrejtësisht.
“Tash lënda është në Gjykatë dhe është duke u marrë me këtë punë po unë kisha thanë që shteti duhet me u marrë me këtë rast jo veç me aeroport po me çdo organizatë edhe dy punëtor nëse i ka, me i mbrojt të drejtat e punëtorëve. Me këtë punë duhet me u marrë dikush, vijnë gazetarët marrin intervista me punëtorë po tani i marrin i shtijnë në dollap dhe këto nuk dalin unë nuk e di pse s’po dalin sa TV na i kena sa mediat merren me gjithçka e kërkush nuk merret me neve. Po ta tham edhe një detaj kur m’kan qit prej pune kanë ni shokë kanë ni miqë edhe kanë ardh kanë than pse a t’kan nxan najsen keq a mos ke pas me najkon problem, po jo more edhe po të tham pse instancave më të nalta të shtetit kanë ardh edhe mkan than ti duhet me u kthy në punë nëse nuk ke ba kurgja. Une ju kom than jo nuk muj me u kthy veç une në punë se unë jam dal vet i 28-ti atë ditë edhe ju kom than që une nuk kthehna veç nëse i ktheni edhe ata 27 unë ka me u kthy mas tyne përndryshe une nuk kom ba kurgja nuk e ndiej vetën fajtor as 1 % absolut unë veç kam kontribuar dhe e kam lan shnetën në atë aeroport.
Na kur kena hi në punë kena punu me 4 muj pa pushim pa asnjë ditë pushim ai është një mund i imi një kontribut i imi në atë aeroport edhe un për këtë shtet unë kom ba dhe kam luftu për me pas një vend pune edhe me pas një jetë pak më të dinjitetshme e jo më fal në shprehje me të pucatë kush t’qohet ma heret tash që u ardh turku atu i ka gjet do labila që punojnë në favor të tyre ai pastë pare le t’i jep kujna dojnë po neve punëtorëve mos t’na shkelin se thash që aty doket mirë po për neve që jemi mrena aty është diktaturë aty muj me të than si para lufte kur janë kanë masat e dhunshme e kur trupojshin ata me jeleka të zi u dashke me ul kryt e njëjta tash është kur vijnë ata punëtorët e ri dridhen punëtorët 20 vjet mas luftes na jena jena në Kosovë të lirë aty bahet diskriminim ndaj punëtorëve”.
Qamili është veteran dhe invalid i luftës së UÇK-së. Ai dikur me pushkë në dorë kishte luftuar për lirinë e popullit të Kosovës ku edhe ishte plagosur në luftë. Sot pas 21 vitesh punë në aeroport, ai tashmë ka mbetur pa punë. Por kjo është e keqja më e vogël që i ka ndodhur atij në jetë.
Më 17 Prill të vitit 1999, forcat kriminale serbe kishin vrarë, masakruar e më pastaj djegur 53 anëtarë të famlijës Muqolli nga Fshati Poklek i Vjetër i Komunës së Drenasit. Gjysma e të vrarëve ishin familja e ngushtë e Qamilit, përfshirë gruan dhe dy fëmijët.
“Kjo është familja ime që e kam pas deri më ’99, në luftë jemi kanë 20 anëtarë të familjes, unë me vllaun e madh jemi kanë ushtarë më 17 prill të ‘99 ka ndodh masakra në Poklek edhe komplet familja jem 14 anëtarëshe, 2 prind, 4 motra, gruja e vllaut me 4 fëmij edhe gruja jem me dy fëmij mu kanë vra po flas të familjes të ngushtë, në shpi tonë ka ndodh masakra janë kanë edhe tri familje të tre mixhallarve u kanë çika e mixhës me 3 djem ku njani ka pshtu plus familja e një kusherinit edhe familja e Imer Elshanit mikut tonë kanë qenë aty dhe 53 anëtarë i kanë vra e masakru dhe i kanë djeg”.
Veterani i UÇK-së i cili tashmë ka kohë të mjaftueshme për ta vizituar varrin e përbashkët të dikur familjes së tij thotë për Indeksonline se viteve të fundit derisa punonte në aeroportin e Prishtinës atij nuk i është dhënë ditë pushimi as për ta shënuar përvjetorin e familjes.
“Unë e kam vllaun në Gjermani, punon me një firmë shumë të madhe dhe kur e kam marr vesh gjermani që vllau e ka përvjetorin edhe që nuk ka mujt me ardh këtu atë ditë të lirë ja ka dhanë atje. E këta nuk janë kanë në gjendje mu me ma dhanë pushim atë ditë unë jam detyru ose me marrë pushim vjetor ose me u ndërru me kolegë po flas për këto 2-3 vjet e fundit se ma herët ma kanë dhanë të lirë”.
Ish-ushtari i UÇK-së që për 21 vite kishte punuar në Aeroportin që mban emrin e komandantit legjendar “Adem Jashari” tashmë mund të futet në aeroport vetëm si udhëtar, për ta marrë rrugën e gurbetit nëse nuk rikthehet në punë./IndeksOnline/
SHPËRNDAJE