Komuna e Drenasit njofton se pas shumë vonesave, është nënshkruar kontrata me kompaninë fituese të tenderit për ndërtimin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Drenas.
Në njoftim thuhet se ky projekt i shumëpritur pritet të përmirësojë ndjeshëm qasjen në shërbime shëndetësore cilësore, duke ofruar infrastrukturë moderne dhe të sigurt për pacientët dhe stafin mjekësor.
Tutje thuhet se vonesa në ndërtimin e QKMF-së ka krijuar situatë të ndërlikuar për qytetarët e Drenasit.
“Ata me të drejtë kanë shprehur pakënaqësitë e tyre ndaj mungesës së kushteve adekuate shëndetësore. Kjo gjendje ia ka pamundësuar Komunës të investojë në objektin ekzistues, duke qenë se pritej realizimi i QKMF-së së re”, thuhet në njoftimin e komunës së Drenasit.
Sipas Komunës kjo nismë kishte filluar me nënshkrimin e memorandumit të bashkëpunimit me Ministrinë e Shëndetësisë gjatë mandatit të ministrit Uran Ismajlit, si projekt madhor për përmirësimin e infrastrukturës shëndetësore. Pasardhësi i tij, ministri Rifat Latifi, vazhdoi përkushtimin për realizimin e këtij projekti, por përkundër përpjekjeve dhe sfidave teknike, sollën humbje buxhetore të komunës, por edhe pakënaqësi te qytetarët.
“Edhe gjatë vitit të kaluar, në Komunën e Drenasit është pritur ministri Arben Vitia me Sekretarin e përgjithshëm të Ministrisë së Shëndetësisë, Naim Bardiqin, ku nga kryetari Lladrovci është shtruar çështja e QKMF-së si prioritet për Komunën dhe cilësinë e shërbimeve shëndetësore”.
Në fund komuna falënderon qytetarët për durimin gjatë këtij procesi si dhe të gjithë ata që kontribuan në çfarëdo mënyre për ngritjen e QKMF-së.
SHPËRNDAJE