Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka uruar qytetarët me rastin e 13 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, duke kujtuar Komandantin legjendar Adem Jasharin, heronjtë, dëshmorët dhe martirët e lirisë, si dhe pa praninë fizike të kontribuesve më të mëdhenj të pavarësisë, Hashim Thaçin e Kadri Veselin.
Ai ka shkruar se “në këtë përvjetor të Pavarësisë, kujtojmë edhe kontributin e shteteve mike, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e saj, duke e rikonfirmuar se rruga jonë euro-atlantike është e pandalshme dhe e vetme”.
Postimi i Ramiz Lladrovcit:
Qytetarë, gëzuar Pavarësia e Republikës së Kosovës!
Në këtë përvjetor të 13-të, Pavarësia e Republikës së Kosovës po festohet pa praninë fizike të kontribuuesve më të mëdhenj të shpalljes së pavarësisë së shtetit tonë, Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin. Kjo ditë, na bën ta ritheksojmë se historia nuk rishkruhet, ajo mbetet trashëgimia më e çmuar për brezat.
Kjo ditë e shënuar, më e ndritshmja pas Pavarësisë së Shqipërisë, është ditë që kujtojmë me nderim të thellë, gjeneratat e tëra të atdhetarëve, në të gjitha trojet etnike që punuan, luftuan dhe flijuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Është kjo ditë, të kujtojmë si çdo ditë, Komandantin legjendar, Adem Jasharin dhe Jasharajt e Prekazit si dhe të gjitha bijat dhe bijtë më të çmuar të kombit që ranë në altarin e lirisë, nën emblemën e shenjtë të UÇK-së dhe sakrificën shekullore të kombit tonë për çlirim.
Në këtë përvjetor të Pavarësisë, kujtojmë edhe kontributin e shteteve mike, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e saj, duke e rikonfirmuar se rruga jonë euro-atlantike është e pandalshme dhe e vetme.
Përgëzimet më të sinqerta për 13 vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës!
SHPËRNDAJE