Supremja ndryshon dënimin për vrasjen e dyfishtë në Drenas, nga burgim i përjetshëm në 35 vjet burgim

Gjykata Supreme e Kosovës e ka ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe atë të Apelit, në rastin e vrasjes së dyfishtë në Gradicë të Drenasit, ku i akuzuar është Xhafer Bardhi.

Bardhi ishte dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e 15-vjeçarit dhe babait të tij, ndërsa Supremja e ka ndryshuar dënimin në 35 vjet burgim.

Sipas gjykatës, gjykata e shkallës së parë dhe ajo e shkallës së dytë, rrethanat rënduese të cilat i kanë gjetur nuk kanë mundur të kenë ndikim të theksuar për t’i shqiptuar dënimin me burgim të përjetshëm të akuzuarit.

Në vendimin e Supremes thuhet se janë hedhur poshtë pretendimet e mbrojtjes së Bardhit se vrasjen e kishte kryer në gjendje të tronditjes së fortë mendore, duke u bazuar në faktin se i njëjti më 25 nëntor 2021 kishte deklaruar se “tanat i kam përbi, por kur ma ka kapë armën ajo vetë ka kërsitë”.

Ndryshe, më 9 tetor 2023, Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte shpallur fajtor Bardhin duke e dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e dyfishtë të B. M. dhe djalit të tij 15-vjeçar në një pyll në fshatin Gradicë të Drenasit.

Kurse djali i Xhaferit, Amiri, ishte shpallur i pafajshëm duke u liruar në mungesë të provave.

SHPËRNDAJE