Gjykata e Drenasit dënon tre bashkëfshatarë të Lladrovcit për falsifikim të nënshkrimeve në kundërshtimin e një projekti të Komunës

Gjykata Themelore, dega në Drenas ka shpallur fajtor tre banorë të fshatit Gllanasellë të Drenasit për falsifikim të nënshkrimeve të gjashtë personave tjerë.

Në bazë të aktakuzës të cilën e ka siguruar KALLXO.com, Albert Nika, Bekim Nika dhe Sejdi Nika, secili janë dënuar me nga 240 euro gjobë.

Rasti për dyshimet për falsifikim të nënshkrimeve ishte iniciuar me raportimin e kryetarit të Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci në Prokurorinë e Prishtinës, në fund të vitit 2020.

Asokohe, banorët e fshatit Gllanasellë të Drenasit kishin dërguar kërkesë në insititucionet komunale duke kundërshtuar një projekt të nisur të Komunës që një pjesë e rrugës të shndërrohet në trotuar.

Lladrovci ka pretenduar se bashkëfshatarët e tij në kërkesën për zgjerimin e një rruge në lagjen Nika, kanë vendosur nënshkrime edhe pa dijeninë e disa banorëve të tjerë.

Sipas aktakuzës, më 27 dhjetor 2019, të pandehurit me dashje, pas marrëveshjes paraprake në mes tyre, kanë plotësuar kërkesën për zgjerimin e rrugës “Vesel Nika” në Gllanasellë, duke shkruar nënshkrimet e gjashtë personave pa dijeninë e tyre, kërkesë të cilën më pas Albert Nika e ka dorëzuar në zyrën e ankesave dhe kërkesave të qytetarëve të Drenasit.

Si rrjedhojë, ata dyshohen për veprën penale e kryer në bashkëkryerje “Rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve”.

Pas këtij vendimi, KALLXO.com ka provuar që të kontaktoj me Albert Nika, Bekim Nika dhe Sejdi Nika.

KALLXO.com ka arritur të vihet në kontakt vetëm me njërin nga administatorët e fshatit Gllanasellë, Bekim Nika.

Ai deklaroi se nuk është në dijeni për vendimin e Gjykatës Themelore, por theksoi se nënshkrimet i kishte vendosur në kërkesë me autorizimin e të gjithëve.

“Unë i kam dëshmu krejtve me dëshmi ato nënshkrimet. Ato i kam deklaru edhe në Gjykatë, kam deklaruar që janë vendos me pajtim të tyre, i kam thirrë secilin përfaqësues e banorë të lagjes e me konfirmim të tyre i kam qitë nënshkrimet. Unë nuk e kam marrë vendimin ende. Unë edhe në Gjykatë iu kam thanë, nënshkrimet nuk i kam qit krejt, nja 5-6, por normal kam kontaktu me secilin në telefon për me marrë autorizimin e tyre”, u shpreh ai.

Lidhur me vendimin e Gjykatës, kundër këtij aktgjykimi palët kanë të drejtë ankesë në Gjykatën e Apelit në Prishtinë, në afat prej 15 ditësh, llogaritur nga dita e pranimit të tij.

Nëse të akuzuarit nuk dëshirojnë ose nuk kanë mundësi ta paguajnë gjobën, e njëjta do t’iu zëvendësohet me burgim.

KALLXO.com kishte raportuar më 13 janar 2020 së banorët e fshatit Gllanasellë të Drenasit po kundërshtojnë projektin e nisur të Komunës që një pjesë e rrugës të shndërrohet në trotuar.

Ata kërkonin që rruga që lidhë lagjen “Nika” dhe “Topilla” të shtrohet me asfalt me gjerësi katër metra dhe jo vetëm dy siç është në projekt. Banorët asokohe edhe kishin protestuar.

Ndërkaq, nga Komuna e Drenasit kishin thënë se të gjitha projektet që janë të planifikuara do të kryhen ashtu siç janë të miratuara nga ana e Kuvendit dhe të listuara sipas prioriteteve. Sipas tyre, është e rëndësishme ndërtimi i këtij trotuari për shkak se paraqet sigurim për fëmijët.

SHPËRNDAJE