Banorët e Poklekut probleme me rrymë që 10 vite, KEDS thotë se është duke investuar aty

Banorë të katër lagjeve të fshatit Poklek të Vjetër në Drenas po ankohen se që 10 vjet kanë probleme me rrymën.

Ata po thonë se po u bën vetëm njëra fazë.

Sipas përfaqësuesit të fshatit, Zekë Kluna, rryma në Poklek të Vjetër është shumë e dobët. Sipas tij, për këtë arsye nuk u funksionojnë shumë pajisje në shtëpi.

“Ne paguajmë dhe nuk kemi rrymë si duhet”, tha ai për KALLXO.com.

Kluna tha se kanë bërë peticion mirëpo ende nuk ka asgjë nga KEDS-i.

“Që 10 ditë e kemi dërguar peticionin në Prishtinë, mirëpo asnjë përgjigje nuk kemi marrë”, u shpreh më tutje ai.

Në lidhje me këtë rast, KALLXO.com ka kontaktuar zëdhënësin e KEDS-it, Viktor Buzhala.

Buzhala ka thënë se KEDS është duke investuar në Poklek.

“KEDS është duke investuar aty dhe shumë shpejt do të përmirësohet aty rrjeti dhe konsumatorët do të marrin shërbimet e merituara”, thuhet në përgjigjen e tij./Kallxo.com

SHPËRNDAJE