Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, ka njoftuar se stadiumi “Rexhep Rexhepi” në Drenas do të rinovohet, në kuadër të investimeve strategjike për infrastrukturën sportive në vend.
“Për ta bërë të mundur këtë, kemi ndarë 4.5 milionë euro,” ka bërë të ditur ministri Çeku. Marrëveshja për nisjen e fazës së fundit të ndërtimit është nënshkruar me Komunën e Drenasit, e cila do të udhëheqë punimet në terren dhe do të kontribuojë me 875 mijë euro.
Sipas ministrit, qëllimi është që stadiumi të shndërrohet në një hapësirë moderne, funksionale dhe të denjë për zhvillimin e ndeshjeve dhe pritjen e tifozëve.
“Me vendosmëri po e realizojmë planin investiv për Lojërat Mesdhetare 2030. Po krijojmë një të ardhme më të mirë për sportin,” theksoi Çeku.
Ky projekt pritet të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e cilësisë së infrastrukturës sportive në Drenas dhe përgatitjen e Kosovës për ngjarje të rëndësishme sportive .
SHPËRNDAJE