Valbon Krasniqi përjashtohet nga kandidimi për drejtor të SHSKUK-së

Valbon Krasniqi nuk i ka plotësuar kriteret për të kandiduar si drejtor i Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës.

Bordi i SHSKUK’së e ka përjashtuar atë nga kandidimi për drejtor të këtij institucioni, kështu kanë bërë të ditur nga SHSKUK.

Nga ky institucion është thënë se Gloria Staka dhe Valbon Krasniqi nuk i kanë plotësuar kriteret për drejtor të SHSKUK-së.

Ndërsa, Saudin Maliqi nga Prishtina, Gani Halilaj nga Drenasi, Driton Ukmata nga Prishtina dhe ish-drejtori i SHSKUK’së, Basri Lenjani i kanë plotësuar kërkesat dhe do të kandidojnë për pozitën e drejtorit.

Ndërsa, kandidatët që nuk plotësojnë kushtet dhe kriteret e konkursit, kanë të drejtë të paraqesin ankesë ose të paraqiten në Sektorin e Burimeve Njerëzore në SSHKUK për t’u njohur me arsyet e detajuara për mos kualifikim për konkursin e mëtejmë.

Kryesuesi i Bordit drejtues të SHSKUK’së, Xhevat Jakupi, ka thënë për Express se burimet njerëzore në këtë institucion do ta publikojnë dokumentin për personat që kanë plotësuar kërkesat, dhe se ky dokument pastaj do t’i dorëzohet bordit.

Ai ka thënë se ende nuk e kanë marrë dokumentin dhe se po e presin atë.

SHPËRNDAJE