Kryetari Lladrovci pret në takim komandantin e ri të Ekipit Monitorues-Ndërlidhës të KFOR-it Italian, Komanda Rajonale-Lindje

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ka pritur në takim lamtumirës togerin Prejean, komandant i deritanishëm i Ekipit Monitorues-Ndërlidhës LMT K9 të KFOR-it Zviceran, i cili përfundon detyrën e ndërlidhësit me Komunën e Drenasit dhe është njoftuar me togerin Anthony Paciolla, nga KFOR-i Italian, i cili ka marrë komandën e Ekipit Monitorues-Ndërlidhës LMT K9, Komanda Rajonale-Lindje.

Ne këtë takim, kryetari Lladrovci ka falënderuar togerin Prejean për bashkëpunimin e deritanishëm në të mirë të sigurisë së përgjithshme, si dhe për përkrahjen e ofruar në veçanti për Komunën e Drenasit. Me këtë rast i njoftoi të pranishmit për situatën e tanishme të krijuar pas vërshimeve të fundit dhe për dëmet të cilat komuna i ka pësuar, kryesisht në ura dhe në ekonomi familjare. Ndërsa sa i përket aspektit të sigurisë u vlerësua që gjendja është e mirë.

Gjithashtu kryetari Lladrovci e përgëzoi togerin Paciolla për detyrën e re duke shprehur gatishmërinë që bashkëpunimi i mirë i deritanishëm të vazhdojë edhe në të ardhmen në funksion të sigurisë së qytetarëve të Drenasit.

Ndërsa, komandanti i ri i Ekipit Monitorues-Ndërlidhës LMT K9 nga KFOR-it Italian shprehu gatishmërinë për bashkëpunim dhe interesimin për realizimin projekteve në të mirë të qytetarëve të Drenasit.

Në fund të takimit, kryetari Lladrovci në shenjë mirënjohje ndau dhurata për përfaqësuesit e KFOR-it të pranishëm në takim.

SHPËRNDAJE