Gjuajti me armë në Vasilevë, suspendohet zyrtari i Shërbimit Korrektues

Është suspenduar nga detyra zyrtari i Shërbimit Korrektues, i cili rreth orës 02:00 të ditës së sotme, ka shtënë me armë zjarri te liqeni i Vasilevës në Drenas.

L.XH., është suspenduar nga detyra deri në një vendim tjetër nga organet e drejtësisë.

Lajmin për suspendimin e zyrtarit e ka konfirmuar për IndeksOnline, Florent Gashi, zyrtar për informim në ShKK.

Pak më parë IndeksOnline ka raportuar se: “Me datë 05.07.2021, rreth orës 02:20 është pranuar informata për të shtëna me armë zjarri në fshatin Vasilevë te liqeni. Të gjitha patrollat e Stacionit Policor të Drenasit ju kanë përgjigjur rastit dhe me të arritur në vendin e ngjarjes kanë hasur në veturën e dyshuar “Mercedes” ngjyrë e zezë, ku është identifikuar personi i dyshuar, zyrtar i Shërbimit Korrektues, i cili ka pranuar se ka shtënë me armë zyrtare derisa kishte qenë duke peshkuar”.

I dyshuari është shoqëruar në stacion për intervistim ndërsa nga hetuesit policor i është konfiskuar arma.

Në vendin e ngjarjes janë gjetur edhe disa gëzhoja ndërsa në lidhje me rastin është njoftuar prokurori i shtetit i cili ka urdhëruar që rasti të kaloi në procedurë të rregullt ndërsa të hapet rasti “Shkaktim i Rrezikut të Përgjithshëm”.

SHPËRNDAJE