Hoxhaj: Likoshani e Qirezi u bënë pjesë e historisë dhe gjeografisë së çlirimit të vendit

Para 23 vitesh, Likoshani e Qirezi, u bënë pjesë e historisë dhe gjeografisë së çlirimit të vendit, duke u bërë të paharrueshme për çdo atdhetar, për sakrificën madhore për liri dhe çlirim.

Zjarri i luftës për çlirim, nga këtu, po bëhej edhe më fuqishëm, nga 28 shkurti i vitit 1998, duke motivuar bijat dhe bijtë më të çmuar të kombit, të ngjishnin radhët e njësiteve dhe frontit kundër okupatorit, deri në çlirimin e vendit

Dëshmorët dhe martirët e kombit, nga Likoshani dhe Qirezi, u bënë memorie për Kosovën e lirë, memorie ku barbaria okupatore serbe, në pamundësi të ballafaqohej me njësitet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kryen masakra të tmerrshme.

Pas betejës frontale te Lisi Gjashtnjak, ku forcat serbe pësuan humbje të madhe nga UÇK-ja, u hakmorën ndaj qytetarëve të pafajshëm e të pafuqishëm, për të rikonfirmuar identitetin e vet në raport me shqiptarët. Për fat të keq, planifikuesit dhe ekzekutuesit e këtij krimi të rëndë, ende nuk kanë marrë dënimin e merituar.

Lavdi e përjetshme për dëshmorët dhe martirët e Likoshanit dhe Qirezit!

SHPËRNDAJE