Komuna e Drenasit mirëpret investimet e nivelit qendror në zonën e Goleshit

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar ndaj iniciativave të reja për projekte zhvillimore në komunën e Drenasit, në zonën e Goleshit. Lladrovci ne reagim ka thënë se niveli qendror krahas propozimit për projekte të reja, t’i zhvillojë projektet e parapara me vite në Ligjin për Buxhet, të dedikuara për këtë zonë.

Më poshtë gjeni reagimin e kryetarit Lladrovci.

Mirëpres vlerësimin për zonën e Goleshit si zonë me interes të veçantë, ku është theksuar rëndësia e zhvillimit dhe rehabilitimit të kësaj zone. Pasi flitet për projekte të reja, mirëpres dhe ftoj nivelin qendror që krahas propozimit për projekte të reja, t’i zhvilloj projektet e parapara me vite në Ligjin për Buxhet, të dedikuara për këtë zonë.

Jemi në pritje të realizimit të projektit të Stadiumit nacional, ku kemi ndërmarrë me kohë të gjitha veprimet e nevojshme që prona të bartët në pronësi të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, si dhe me zhvillimin e punimeve për zgjerimin e zonës ekonomike.

Lidhur me dy gurthyesit në atë zonë, çështjen e kam adresuar te organet e ndjekjes, për të gjithë përgjegjësit potencial që janë përfshirë në degradimin e kësaj pjese duke filluar nga zyrtaret e komunës, ata të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale dhe kushdo qofshin akterët tjerë. Po ashtu Komuna e Drenasit, ka ushtruar padi për kompensim të dëmit ndaj atyre që e degraduan këtë zonë.

Çdo projekt i cili do të jetë në interesin e përgjithshëm, është i mirëpritur dhe i japim përkrahje.

SHPËRNDAJE