Lëvizja Vetëvendosje, Qendra në Drenas ka reaguar pas vërshimeve të fundit që kanë goditur këtë komunë.
Njoftimi i plotë i VV-së në Drenas:
Fatkeqësitë natyrore janë të pashmangshme, sepse sa herë që ne e sfidojmë natyrën, e sfidojmë edhe vetvetën. Por, ne duhet të bëjmë të pamundurën që dëmet nga fatkeqësitë natyrore t’i minimizojmë.
Që ta bëjmë këtë, investimet dhe punën duhet t’i drejtojmë në mënyrën më të duhur shkencore, duke iu përmbajtur rekomandimeve të ekspertëve të fushës përkatëse.
Të gjithë jemi dëshmitarë se kohëve të fundit në Komunën e Drenasit, dëmet nga vërshimet janë rritur në një shkallë të madhe. Dhe, e gjithë kjo si rezultat i punës joprofesionale nga institucionet përgjegjëse, qoftë të nivelit lokal apo qendror. Kjo si rezultat mungesës së profesionalizmit, apo edhe mungesës së bashkëpunimit me ekspertë të fushës.
Trajtimin e kësaj problematike duhet ta fillojmë me pasojat e punës 20 vjeçare të pushtetit aktual, në krye me PDK-në në pushtet lokal, dhe me satelitët e saj në nivel qendror.
Ndërtimi i Qendrës Tregtare, e cila është ngritur nën nivel të kanalizmit, ka shkaktuar dhe po vazhdon të shkaktojë dëme të pariparueshme për bizneset dhe në tërësi për imazhin e qytetit të Drenasit. Në vazhdimësi, bizneset që operojnë në këtë qendër janë dëmtuar nga vërshimet, ndërsa mbështetja institucionale ka munguar. Dëmi për bizneset ishte i paramenduar, sepse institucionet e asaj kohe, si me dashje i paraprinë dështimit, duke ndërtuar objektin jashtë të gjitha parametrave teknikë të ndërtimit.
Shtëpitë që gjenden përgjatë bregut të lumit Drenica, e cila është tokë bujqësore komesative, dhe të cilat janë ndërtuar në dekadën e fundit, pa leje, por para syve të pushtetit, pa fajin e tyre, banorët e asaj zone po dëmtohen. Këtu faji duhet t’i faturohet pushtetit lokal që lejoi ndërtimin e këtyre shtëpive pa plan urbanistik, madje duke mos i paralajmëruar banorët për rrezikun e mundshëm nga vërshimet.
Si të mos mjaftonte kjo, punës së keqe dhe joprofesionale të Komunës së Drenasit, iu bashkua edhe niveli qendror, më saktësisht Ministria Mjedisit dhe Planifikimit Hapsinor, duke filluar ndërtimin e shtratit të lumit në mënyrë të gabuar. Në vend se të filloj nga poshtë-lart, e filloi nga lart-poshtë rrjedhës së lumit. Si rezultat i gabimit të tillë, rrjedha e lumit u shpejtua lart, duke shkaktuar grumbullim të pakontrolluar të ujit në pjesën e poshtme, e duke e nxjerrur ujin nga shtrati. Prandaj, dëmet që iu janë bërë qytetarëve tonë, nuk janë vetëm dëme të shkaktuara nga natyra, por dhe nga neglizhenca dhe padituria institucionale.
Gabim tjetër institucional është edhe ndërtimi i rrjetit të kanalizimit, që përfshin një sipërfaqe nga Komuna e Skënderajt dhe e gjithë Komunës së Drenasit, përgjatë dy rrjedhave të lumit Drenica, të cilat janë në funksion të dëmtimit të cilësisë së ujit, duke shkatërruar faunën e pasur të lumit dhe duke shkaktuar ndotje të paparë në vendet normale të civilizimit.
Nuk duhet të harruar se nga kjo papërgjegjësi institucionale po dëmtohen fermerët dhe po iu pamundësohet ushtrimi i profesionit të tyre. Pasi që, për çdo vit në, sipërfaqe e madhe e tokës bujqësore po bëhet jofunksionale.
Prandaj, ne si Qendër e Lëvizjes në Drenas, sot në një mbledhje të jashtëzakonshme, diskutuam për dëmet që iu janë bërë qytetarëve tonë, dhe analizuam rekomandimet që i morëm nga ekspertët e fushës. Duke respektuar dhe zbatuar punën e ekspertëve, pa ngjyrime politike, ne po përgatitemi që pas zgjedhjeve të ofrojmë një qeverisje që do t’i menjanonte këto dëme, duke ofruar zgjidhje konkrete për secilën problematikë.
Lëvizja VETËVENDOSJE!, Drenas