Liqeni i Vasilevës në pritje të investimeve

Në mes të Komunës së Drenasit dhe asaj të Fushë Kosovës ndodhet Liqeni i Vasilevës. 

Liqeni ka një sipërfaqe prej 6 hektarësh dhe një thellësi prej 25 metrave. 

Emrin ky liqen e ka marrë për shkak se gjendet shumë afër fshatit Vasilevë, por përveç këtij liqeni në afërsi ndodhen edhe disa liqene të tjera. 

Liqeni është i pasur me florë dhe faunë si dhe shumë i përshtatshëm për peshkim. Në mes të liqenit gjendet një shtëpizë e cila mund të shfrytëzohet nga peshkatarët.

Në këtë liqen ndodhen së paku 5 lloje të patave të egra, dhjetëra lloje të zogjve si dhe të peshqve.

Zëdhënësi i Komunës së Drenasit, Bekim Dobra, thotë se ky liqen është krijuar nga vitet e 70-ta, kur KEK-u kishte gjurmuar në këtë pjesë për hedhjen mbetjeve dhe nga ajo kohë është krijuar ky liqen nga të reshurat e shiut.

Sipas tij, ky vend është atraksioni i vetëm për t’i kaluar ditët e fundjavës për banorët e fshatrave përreth. 

“Vizitat janë të shumta, kryesisht nga banorë të Komunës së Drenasit, por edhe të vendeve tjera të Kosovës. Vizitat bëhen për rekreacion, peshkim, vrapim, piknik, motorizim, çiklizëm dhe rekreacione të tjera”, thotë ai. 

Por, siç thotë Dobra, rruga për të shkuar deri te liqeni nuk është edhe e lehtë. 

“Liqeni i Vasilevës është i rrethuar nga malet e gjelbëruara dhe është pjesë e Malit të Gospojës. Ndodhet në një pozitë gjeografike të thellë që nuk është e lehtë të vizitohet për shkak të rrugës së paasfaltuar”, thotë ai. 

Dobra deklaron se Komuna e Drenasit, me mjetet buxhetore është afër përfundimit të rrugës me trotuare deri te liqeni i Vasilevës dhe në bashkëpunim me KEDS-in janë duke hartuar projektin për krijimin e kësaj zone rekreative për qytetarët.

“Natyra e bukur që ofron ky vend me një peisazh mbresëlënës, me vetëm pak përkushtim dhe investim bën që në këtë liqen të zhvillohet turizmi gjatë gjithë stinës së verës”, shtoi tutje Dobra.

Sipas regjistrimit të fundit që ka bërë Komuna e Drenasit, në fshatin Vasilevë janë 511 banorë rezident të ndarë në 5 lagje.

Autorja Erona Ramaj është nxënëse e gjimnazit “Gjergj Kastrioti Skendërbeu” në Drenas.

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.

SHPËRNDAJE