Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, në një intervistë për Syri.net Kosova, i pyetur në lidhje me ndërtimin e stadiumit kombëtar të Kosovës, ka deklaruar se projekti ka kaluar tashmë disa faza konkretizimi dhe se nuk është vetëm një ide.
“Propozimi për Stadiumin Nacional, ka kaluar disa faza konkretizimi dhe më nuk është ide. Kjo qeveri aktuale është e treta që ka këtë projekt në tavolinë dhe nuk besoj se duhet trajtuar me pikëpamje apo bindje politike. Kosova ka nevojë për të pasur një objekt sipas projektit të Stadiumit Nacional, siç i ka hije shtetit dhe sportit e sportistëve në përgjithësi. Se nuk ishte ide, flet hartimi i planit dhe projektit të stadiumit, fizibiliteti dhe shpronësimi. Pra, është në vullnetin e qeverisë se a do të vijojë më tutje me procedura apo jo”, deklaroi Lladrovci.
Lladrovci, i cili ka qenë gjithnjë i zëshëm për ndërtimin e stadiumit në Drenas, pasi sipas tij, është vendi ideal, pohon se janë ndërmarrë të gjitha veprimet që i takojnë komunës në bashkëpunim me nivelin qendror, raporton Syri.net Kosova..
Ai deklaron se në takim me ministrin e MKRS-së, Hajrullah Çeku, ka trajtuar të gjitha çështjet e lidhura mes dy niveleve, gjersa përmend edhe shifrën është investuar deri më tani.
“Në takimin e fundit me ministrin Çeku, i kam trajtuar çështjet e lidhura mes dy niveleve, qendror e lokal si dhe të gjitha veprimet që janë të lidhura me kompetencën tonë, edhe me punën e bërë dhe investimet e deritashme që shkojnë rreth 10 milionë euro”, ka deklaruar Lladrovci.
SHPËRNDAJE“Besoj fort se Stadiumi Nacional i duhet Kosovës dhe vendi ideal është Drenasi, qëndroj fort pranë parimit që të ruhet paraja publike dhe interesi publik, të gjitha këto, çojnë në konkludim se na duhet Stadiumi Nacional i ndërtuar ku është parashikuar, në Drenas”, ka shtuar ai.