Një person i verbër voton në fletëvotim me alfabet të Brailit në Drenas (VIDEO)

Një person i verbër voton në fletëvotim me alfabet të Brailit në Drenas (VIDEO)

Qytetari  me nevoja të veçanta nga Komuna e Drenasit, Albert Bardhi ka dalë për të votuar përkundër vëshirësive të cilat ai i ka përmendur.

Në njërën nga vendvotimet e shkollës “Rasim Kiqina” në Drenas, Bardhi ka votuar me një fletvotim me alfabet të Brailit, i cili është përgatitur enkas për persona të verbër.

Pasi kreu procesin e votimit, Bardhi ka thënë për KALLXO.com se ai është trajnuar për të votuar por prapëseprapë ka vështirësi si në çdo sferë tjetër të jetës.

“Jam trajnu për me votu por sido që të jetë po ka edhe barriera si në çdo segment”, ka thënë ai.

Bardhi madje ka pasur edhe një porosi për institucionet për respektim të të drejtave të njeriut.

“Në procesin e votimit ka barriera për personat me nevoja të veçanta. Po du me i porositë institucionet mos të thirren vazhdimisht në respektim të të drejtave të njeriut por të punojnë me vepra jo me fjalë sepse me fjalë jemi mirë e me vepra askund”, ka përfunduar Bardhi.

Sot në Kosovë po mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.

Në të gjithë territorin e Kosovës janë 888 qendra të votimit me gjithsej 2 mijë e 382 vendvotime.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare vijnë si rezultat i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila ka urdhëruar mbajtjen e zgjedhjeve të reja pasi ka anuluar vendimin për zgjedhjen e Qeverisë së Avdullah Hotit

SHPËRNDAJE