Reshjet e shiut të cilat kanë filluar dje kanë shkaktuar dëme në disa komuna. E tillë është edhe komuna e Drenasit, në të cilën po raportohet se ka përmbytje të disa shtëpive dhe tokave bujqësore, shkruan Gazeta Express.
Luminje Gjoshi – Krapi, drejtoreshë e Shërbimeve Publike dhe Emergjencave në këtë komunë ka thënë për Express, se Drenasi tanimë është në gjendje emergjence nga reshjet e dendura të shiut.
“Shiu është duke vazhduar pa ndal. Mos të themi që është një gjendje emergjente. Gjendja është e vështirë. Jemi në terren me ekipet emergjente duke kontaktuar me qytetarë”, ka thënë ajo për Express.
Dëme nga shiu sipas saj ka thuajse në të gjithë territorin e Drenasit.
“Shiu ka vërshuar thuajse tërë territorin e Drenasit. Uji i ka marrë shumë fusha e livadhe dhe ka shkaktuar dëme në resurse materiale. Deri më tani nuk kemi dëmtime tek njerëzit”, ka thënë drejtoresha.
Krapi theksoi se vazhdimisht po kanë thirrje nga qytetarët të cilëve u janë vërshuar shtëpitë.
“Vazhdimisht po kemi telefonata nga qytetarët të cilët po lajmërohen se u janë vërshuar shtëpitë dhe pronat e tyre, por gjendje e njëjtë është në tërë komunën”, ka thënë më tutje ajo.
Në ndërkohë, Komuna e Drenasit ka njoftuar që nga mëngjesi janë duke punuar në terren për të evituar problemet nga reshjet e shiut. Nga komuna është kërkuar që qytetarët të kenë mirëkuptim dhe durim në këtë situatë.
“Ekipet emergjente janë në teren për t’i evituar problemet nga reshjet e shiut. Komuna e Drenasit, njofton të gjithë qytetarët se ekipet emergjente janë dal në teren që në orët e hershme të mëngjesit për t’i evituar problemet e shkaktuara nga reshjet e shiut. Kërkojmë nga ana e qytetarëve mirëkuptim dhe bashkëpunim për të tejkaluar këtë gjendje të krijuar nga reshjet e dendura të shiut. Ekipet emergjente janë në teren dhe duke u marr me të gjitha rastet që paraqiten nga ana e qytetarëve, por kërkojmë nga qytetarët të kenë durimin dhe mirëkuptimin, sepse ne të gjitha rastet do të këtë ndërhyrje nga ekipet emergjente për të evituar rastet”, thuhet në komunikatën e komunës.
Në ndërkohë Institute Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka njoftuar se moti me shi do të vazhdojë edhe nesër.
“Reshjet e shiut, të cilat pritet të fillojnë gjatë orëve të pasdites së datës 06/01/2021, me intensitet mastarë deri të lartë, fillimisht do të përfshinë pjesën perëndimore të vendit (zonën malore të Alpeve Shqiptare), të cilat në vazhdim do të përfshinë Rrafshin e Dukagjinit dhe pjesë të tjera të vendit. Kjo situatë do të vazhdoj për disa ditë (09/01/2021), ku si pasojë e intensitetit më të lartë të tyre, në disa zona mund të paraqiten vërshime të shpejta, të cilat potencialisht shkaktojnë ngritje të shpejta të nivelit të ujit nëpër lumenj e sidomos nëpër rrjedhat ujore të cilat kanë karakter të rrëkeve”, thuhet në njoftimin e IHMK’së. /Gazeta Express/
SHPËRNDAJE